Veseli: Kërcënimi i pjesëtarëve serbë të FSK-së i papranueshëm, Policia në Gjilan përmbushi detyrën

10.07.2018 13:02:51

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë sot se kërcënimi i familjeve të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të komunitetit serb, është i papranueshëm.

Veseli në një postim në rrjetin social Facebook duke iu referuar aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në Gjilan ku janë arrestuar pesë serbë, shkruan se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do të mbrohen pa dallim etnie dhe se institucionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cenim të sigurisë dhe rendit.

Lexoni të plotë postimin e Veselit në Facebook:

“Kërcënimi i familjeve të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të komunitetit serb, është i papranueshëm.

Dënojmë të gjitha aktet që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe cenimin e jetës së qytetarëve tanë. Dhe sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, se ne do t’i mbrojmë ata.

Sot, institucionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cenim të sigurisë dhe rendit.

Tentimet e vazhdueshme të politikës serbe për ta penguar dhe dëmtuar në çdo hap integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës janë në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë, interesave të qytetarëve serbë në Kosovë, vlerave evropiane dhe aspiratave për integrimin në BE.

Institucionet e Kosovës janë gjithmonë të gatshme për dialog dhe fqinjësi të mirë. Çdo provokim nga Serbia, që e lëndon këtë proces, nuk i kontribuon interesave të të dyja vendeve që synojnë normalizimin e marrëdhënieve dhe stabilitetin e paqen në Ballkan”.