Veseli: Pa Lidhjen e Prizrenit nuk do të kishim 28 Nëntorin dhe 17 Shkurtin

10.06.2018 10:52:43

Kadri Veseli, sot, në seancën solemne të Kuvendit, të mbajtur në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në shënim të 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ka thënë se pa këtë Lidhje nuk do ta kishim 28 nëntorin e vitit 1912 dhe as lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës, e cila arriti kulminacionin historik me UÇK-në, çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë në shkurtin 2008.
jalimi i plotë i kryeparlamentarit Veseli:

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Të nderuar deputetë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës,

Të nderuar mysafirë,

Miq të nderuar,

Zonja dhe zotërinj,

Qershori është muaji i ngjarjeve të mëdha të historisë sonë kombëtare. Sot, në kryeqytetin historik të shqiptarëve, në Prizrenin e krenarisë tonë kombëtare, na ka bashkuar kujtimi për njërën prej këtyre ngjarjeve madhështore – Lidhja e Prizrenit.

140 vite më parë, në këtë vend ku qëndrojmë sot, u mblodhën përfaqësuesit e të gjithë trevave shqiptare. Një barrë e madhe qëndronte mbi supet e tyre. Ishte kohë e vështirë. Ballkani ishte i trazuar si asnjëherë më parë. Perandoria Osmane po jepte shenjat e rënies së pashmangshme.Popujt po zgjoheshin. Evropa po jetonte pranverën e kombeve. Secili kërkonte vendin dhe të drejtat e tij në gjeopolitikën e re që po ndërtohej.

Ishte koha që edhe shqiptarët të zgjoheshin, sa më parë që ishte e mundur. Çdo vonesë mund të kishte pasoja të pariparueshme historike, sepse rreziqet ishin të mëdha dhe në qendrat politike të Evropës nuk ekzistonte termi “Çështje shqiptare”. Termi “Shqipëri” ekzistonte vetëm si shprehje gjeografike, siç kishte thënë kancelari i hekurt i Gjermanisë së asaj kohe, Oto Von Bismark.

Në këto rrethana të rënda, burrat e mbledhur në Prizren kishin përpara dy sfida të rënda historike:

– Të dëshmonin para Fuqive Evropiane dhe Perandorisë Osmane Ekzistencën e Kombit Shqiptar,

– Njëkohësisht të mbronin me çdo kusht të drejtat e tij legjitime politike. Të udhëhur nga diplomacia e Abdyl Frashërit, nga urtësia e Ymer Prizrenit dhe guximi luftarak i Sylejman Vokshit, Lidhja e Prizrenit i arriti qëllimet e saj, ndonëse me pasoja shumë të rënda.

Lidhja e Prizrenit i humbi betejat ushtarake me vendimet e Kongresit të Berlinit dhe me garnizonet e Dervish Pashës që dogjën Kosovën në pranverën e vitit 1881, por ajo arriti një fitore tjetër, shumë herë më të madhe:

– Themeloi Vetëdijën Kombëtare Shqiptare,

– Krijoi standardet e patriotizmit modern shqiptar

– dhe platformën e programit për çlirim e pavarësi kombëtare. Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim 28 nëntorin e vitit 1912.

Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës, e cila arriti kulminacionin historik me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë në shkurtin e vitit 2008. Pa Lidhjen e Prizrenit rrjedha e historisë sonë kombëtare do të ishte krejtësisht ndryshe dhe aspak pozitive për kombin tonë.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës të 17 shkurtit 2008,

Të nderuar qytetarë të Kosovës, Motra e vëllezër shqiptarë kudo që jeni. Sot jetojmë në një epokë krejtësisht të ndryshme. Si asnjëherë më parë në histori, siguria dhe liria e kombit tonë janë të qëndrueshme, të garantuara dhe të pacenueshme. Fuqitë, që në qershorin e vitit 1878 ishin kundërshtarët e të drejtave tona kombëtare, sot janë aleatët tanë më të mirë.

Ne jemi gjenerata më fatlume, për faktin se po e bëjmë realitet ëndrrën e madhe të Rilindasëve tanë për ta parë kombin tonë pjesë të Evropës. Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka bërë përparime të mëdha në drejtim të integrimit evropian, ndërsa Kosova, brenda dekadës së parë të pavarësisë, ka shënuar hapa historikë në konsolidimin e shtetit dhe po punon shumë në agjendën e saj euro-atlantike.

E ardhmja jonë është në duart tona. Ne jemi krenarë që jemi pasardhës të burrave të Lidhjes së Prizrenit. Jemi krenarë që ecëm shtigjeve të hapura prej tyre. Krenarë që e vazhduam deri në fitore ëndrrën e tyre.

Lavdi heronjve të Lidhjes së Prizrenit. Lavdi burrave e grave që në harkun kohor të këtyre 140 viteve bënë gjithçka ishte e mundur që kombi ynë të jetë i lirë dhe sovran në bashkësinë e kombeve të lira e të civilizuara. Ju faleminderit!​