Veseli: Sa më shpejt të sillen pranë Azem Bejtës edhe eshtrat e Shote Galicës

19.08.2016 13:46:58

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë sot në ceremoninë e rivarrimit të familjarëve të Azem Bejtës, manifestim i organizuar nën përkujdesjen e tij, në fshatin e lindjes së heroit kombëtar në Galicë të Vushtrrisë.

Veseli gjatë ceremonisë foli për rrethanat historike të asaj kohe, të rënda dhe me shumë sakrifica.

“Po bëhen gati 100 vite kur ne ende po i bashkojmë plagët tona. Serbia i vrau ata, por jo edhe idealin e tyre i, cili u bart në breza deri në arritjen e lirisë”, tha Veseli.

Ai vuri në pah se Azem Bejta dhe Hasan Prishtina hapën shtigjet nëpër të cilat ecën të gjitha gjeneratat e rezistencës së mëpastajshme: Shaban Polluzha dhe luftëtarët e tij, Adem Demaçi dhe lëvizja ilegale, Lëvizjet studentore, aktivistët e rezistencës paqësore dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Kryeparlamentari Veseli bëri apel publik që së shpejti duhet të bëhet e mundur që pranë varrit të Azem Bejtës të sillen edhe eshtrat e Shotë Galicës që aktualisht ndodhen në Fushë Krujë të Shqipërisë.

Në ceremoninë e rivarrimit të familjarëve të heroit Azem Bejta morën pjesë edhe përfaqësues të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, deputetë të Kuvendit të Kosovës, qeveritarë, si dhe përfaqësues të komunave: Vushtrri dhe Skënderaj.

Në fund të ceremonisë, drejtori i mjekësisë ligjore ia dorëzoi kryeparlamentarit Veseli dy artefakte që janë gjetur gjatë rivarrimit të eshtrave të familjarëve të Azem Bejtës.

Kryeparlamentari Veseli tha se dy artefaktet e gjetura, çelësi dhe brisku, do të pastrohen nga institute të specializuara ndërsa pastaj do të qëndrojnë në kullën e Azem Bejtes.