Veseli uron miratimin e Ligjit për gjuhët në Maqedoni

14.03.2018 18:18:57

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka shprehur urimet e tij për shqiptarët në Maqedoni, për përmbushjen e një të drejtë legjitime thelbësore, siç është miratimi i ligjit të gjuhës.

Veseli në profilin e tij në Facebook ka shkruar se falënderon kolegët e tij në Parlamentin e Maqedonisë për miratimin e ligjit të gjuhës, i cili do të kontribuojë sipas tij, në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, jo vetëm në këtë shtet por në mbarë rajonin.

“Urimet më të përzemërta për bashkatdhetarët tanë në Maqedoni për përmbushjen e një të drejte legjitime thelbësore. Falënderoj kolegët e mi të Parlamentit të Maqedonisë për miratimin e ligjit të gjuhës, i cili do të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, jo vetëm në këtë shtet por në mbarë rajonin. Ngjarja e sotshme shënon një hap atë rëndësishëm në përmbushjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe në arritjen e standardeve të larta të realizimit të të drejtave të njeriut që kërkohen në kuadër të integrimeve Euro-Atlantike”, ka theksuar Veseli.