Vetëvendosje: Aktivistin tonë e sulmoi pushteti i kriminalizuar

23.03.2017 13:03:51
Aktivisti i “Vetëvendosjes”, Agron Kabashi, mbrëmjen e kaluar është sulmuar fizikisht. Pas trajtimit në QKUK tashmë është në gjendje të mirë shëndetësore.

Kryetari i “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri dhe Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj, në një konferencë për shtyp ka thënë se ngjarja ka qenë e përgatitur dhe se sulmet e tilla ndaj pjesëtarëve të VV-së po bëhen pas publikimit të sondazhit nga ana e kësaj lëvizjeje, ndërsa Ymeri ka akuzuar se sulmi ndaj aktivistit të tyre është bërë nga pushteti, shkruan Gazeta Express.

“Sulmi ndaj Agronit është sulm ndaj Vetëvendosjes. Sulmi ka qëllimin politik dhe tentimin për ta ndalë rrugën tonë”, ka thënë Ymeri derisa ka shtuar se pushteti po tenton ta ndalë rrugën e Vetëvendosjes.

Ndërsa, Sekretari i VV-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se kjo ngjarje ka qenë e përgatitur, “sepse unë me datë 21 kam publikuar një sondazh dhe atë ditë pra me 22 unë kam marrë një kërcënim në Facebook ku thotë se ‘do të më lënë as të gjallë e as të vdekur dhe do të më vendosin në karrocë’”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka drejtuar akuza edhe ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës duke thënë se kjo e fundit është kapur nga pushteti, ngase sipas tij policia nuk i ka konfiskuar kamerat e sigurisë që ndodhen përgjatë lagjes ku banon ai, në mënyrë që të zbardhet rasti.

“Sulmi e konfirmon se sa në panik është pushteti. Ky sulm vjen prej pushtetit të kriminalizuar, e kryesorët e pushtetit janë Kadri Veseli, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi”, thotë Ymeri.

“Është pa përgjegjësi absolute e PK-së sepse tash është ora 12:00 dhe policia nuk ka reagua fare. Kjo tregon papërgjegjësi politike dhe tendenca të kapjes së kësaj policie. Asnjë sulm e asnjë dhunë e akt i këtyre bandave kriminale nuk munden me e ndalë ndryshimin në Kosovë”, ka shtuar Molliqaj