Vetëvendosje Ne e mbrojtëm Republikën dhe ne e parandaluam luftën

10.09.2016 18:10:06

Mos ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, në seancën e 1 shtatorit, Lëvizja Vetëvendosje e quan fitore të saj. Kështu u tha në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje, me qytetarët nga të gjitha vendet e Kosovës.

I pari i kësaj partie, Visar Ymeri, thotë se subjekti i tij është meritor “që ia ka shkaktuar këtë humbje regjimit”.

Ai foli për aktivistët e arrestuar, duke thënë se ata nuk iu nënshtruan regjimit dhe nuk u dorëzuan në betejën e tyre.

“Akuzat ndaj tyre dhe mbajtja e tyre në burg e ka vetëm një qëllim: ta ndal të vërtetën”, ka theksuar Ymeri.

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje, përveç që “arriti ta ndal marrëveshjen, ka arritur që ta ndal edhe luftën”.

“Duke iu falënderua peticionit masiv, gazit lotsjellës në Parlament, aksioneve simbolike, fakteve të ekspertëve, protestave dhe demonstratave më të mëdha në Kosovën e pasluftës, manifestimeve të shpeshta për Republikën, jo vetëm që kemi ndalur demarkacionin, por e kemi parandaluar edhe luftën. Ne jemi ata q[ e mbrojmë Republikën dhe e parandalojmë luftën”, tha Kurti, duke shtuar se “vendosmëria nuk është dhunë, por seriozitet”.

Në këtë takim ka folur edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili mos ratifikimin e demarkacionit në kuvend e cilësoi po ashtu si fitore të VV-së.

“Dalëngadalë po krijohet fryma e fitores. Besoj se ju të gjithë po e ndjeni, sepse pushteti ka filluar të krijojë shenja të panikut”, ka thënë Ahmeti.