Vetëvendosje proteston me llamba, kërkon rrymë pa reduktime

01.03.2018 21:08:37
Lëvizja Vetëvendosje zhvilloi një aksion simbolik para objektit të KEDS-it duke protestuar kundër reduktimeve të energjisë elektrike.

Aktivistja Arta Berisha tha se KEDS po bën reduktime të paarsyeshme të rrymës megjithëse sipas saj faturat janë të fryra.

“Qytetarët edhe pse paguajnë më shumë sesa që kushtojnë shërbimet e marra, KEDS vazhdon në avazin e njëjtë që planin e mirëmbajtjes të planifikuar për shpërndarjen e energjisë ta aplikojë me reduktime të paarsyeshme”, tha Berisha.

Berisha në emër të VV-së ka bërë thirrje për trajtimin e situatës me seriozitet duke thënë se furnizimi i pandërprerë ishte paraparë në kohën e privatizimit të KEDS.

“Kur e bënë privatizimin arbitrar të KEDS-it na thanë se përveç të tjerave kjo po bëhet që të garantohet furnizim i pandërprerë me energji elektrike dhe se humbjet teknike e edhe ato komerciale do të reduktoheshin. Ne bëjmë thirrje urgjente që KEDS-it dhe institucioneve përgjegjëse, që të zbatojnë masat dhe përgjegjësitë që kanë ndaj qytetarëve, dhe ta trajtojnë këtë gjendje të krijuar me seriozitet ashtu që sa më shpejt qytetarëve t’u sigurohet energjia elektrike në shtëpitë e tyre”, tha Berisha.