Vidal te Barça: T’i fitojmë të gjithë trofetë në dispozicion

06.08.2018 11:28:16

Arturo Vidal është duke shijuar mundësinë e të luajturit bashkë me superstarin Lionel Messi, pasi u bashkua me Barcelonën, i ardhur nga Bayern Munich. Mesfushori kilian do të prezantohet sot, pas ardhjes nga kampionët e Bundesligës. Marrëveshja për Vidal thuhet se i kushtoi Barcelonës 20 milionë euro, teksa 31-vjeçari ishte, gjithashtu i lidhur, me skuadrën e Seria A, Inter.

Duke folur për herë të parë si lojtar i Barcelonës, Vidal, i cili zëvendëson Paulinhon në “Camp Nou”, pasi braziliani u kthye te Guangzhou Evergrande, tha: “Të tregohem i sinqertë, jam shumë i lumtur. Jam i lumtur të filloj trajnimin me shokët e ekipit tim të ri, me një fanellë të famshme. Kam ardhur për të bërë gjëra të rëndësishme këtu.

Është një ëndërr, shpresoj t’i arrij objektivat e mi. Jam këtu për të fituar të gjitha trofetë në dispozicion. Personalisht, do të jap gjithçka në fushë për ta arritur këtë. Unë do të sjell shumë luftë, shumë pasion, duke e ndihmuar ekipin në çdo kohë dhe duke siguruar që Barcelona gjithmonë të fitojë.

Gjatë kontratës 3-vjeçare, shpresoj që të fitojmë gjithçka për të cilën luajmë. Jam i ngazëllyer për të luajtur me Messin, Suarez, Sergio Busquets. Ata janë të gjithë lojtarë të mëdhenj”.