Rrallë ka qenë kaq i madh presioni ndaj Kancelares gjermane sa aktualisht. Por megjithatë as këtë vit pas verës nuk duhet të ndeshemi me vjeshtën e Angela Merkelit, mendon Christoph Strack.
Ndalimi i burkas dhe anulimi i nënshtetësisë së dyfishtë
Gjendja e sigurisë ka ndryshuar në Gjermani. Koalicioni i madh qeveritar përpiqet që t’i përgjigjet gjendjes me masa të shumëllojshme. Por edhe kur mbështetës të vijë së fortë të CDU-së, siç janë kryetarët e landeve përgjegjës për politikën e brendshme si ata të Mecklenburg-Forpomeranisë dhe të Berlinit kërkojnë ndalimin e burkës (çarçafit) dhe të mbulimit të plotë të grave ose eleminimin e plotë të nënshtetësisë së dyfishtë – këto nuk janë sfidat më të mëdha për Merkelin.
As integrimi i refugjatëve në tregun e punës, që ajo do ta bëjë temë qendrore në një takim me krerët e koncerneve gjermane, nuk e rrezikon pozicionin e Merkelit. Jo, nëse vjeshta 2016 do të kthehet në një vjeshtë të nxehtë politike të Merkelit, kjo mund të shkaktohet nga politika e jashtme. Dhe këtu nuk luan rol vetëm zhvillimi dramatik në Turqi.
Ministri i Jashtëm i Merkelit, Steinmeier udhëtoi pas ngjitjes në Piz Palü dhe ditëve të tjera të pushimeve në Alpe shkurt për një bisedë krize për Ukrainën dhe Sirinë në Rusi. Dhe konferenca e parë qeveritare e shtypit pas pushimeve verore të Merkelit u mor fillimisht – për 41 minuta – gati krejtësisht me tema ndërkombëtare. Edhe takimi i parë në kalendarin e saj përsa i përket politikës së jashtme ka të bëjë me një dramë të politikës së jashtme. Të enjten në darkë, Merkelin do ta vizitojë Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk. Për temën e Brexitit dhe për të ardhmen e BE. Berlini i saj është Brukseli tjetër.
Tepër shumë kriza ndërkombëtare. Kur acarohet edhe më tej konflikti i Ukrainës ose keqësohen edhe më tej marrëdhëniet me Turqinë – atëherë rritet edhe presioni ndaj Merkelit për të vepruar detyrimisht dhe për të vendosur, jo vetëm për të zhvilluar bisedime. Kjo në një kohë kur është ajo me ministrin e saj të Jashtëm që e ruan kontaktin me Moskën. Për shkak të Ukrainës dhe tani edhe për shkak të Sirisë. Po të shkallëzohet edhe më tej situata në Turqi? Sikur rrugën të mos e marrin ndoshta miliona refugjatë sirianë, por qindra mijëra kurdë nga Turqia? Në një botë, ku pozitat më të mira ndërkombëtarisht i kanë populistët, Kancelarja do të ndodhej atëherë nën presion të madh për të vepruar me shpejtësi.