Vlerësimi i EPP-së për LDK-në dhe kryeministrin Mustafa, vlerësim për qenësinë euro-perëndimore të Kosovës

30.03.2017 11:04:22

Nga Rexhep Kastrati

Kryetari i LDK-së, njëherësh edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa në samitin e grupit të Partive Popullore Evropiane ka pasur një pritje të veçantë dhe një vlerësim të madh, sikurse çdo herë tjetër.

Duhet të kujtojmë se LDK është pranuar anëtare e EPP-së në Asamblenë Politike e Partive Popullore Evropiane, më 16 Tetor 2012 në Bukuresht, dhe katër vjet pasi ishte pranuar si anëtare vëzhguese. Që atëherë, LDK ka një vend, një vlerësim dhe një pritje të veçantë, edhe si vlerë e shtuar e këtij grupimi të fuqishëm dhe që qëndron në themelet e identitetit të Evropës si kontinent, si kulturë, si qytetërim, si filozofi dhe si kontekst gjeopolitik e gjeostrategjik.

Ky grupim i partive të djathta dhe të qendrës së djathtë, që në aspektin e formësimit politik, filozofik bazën e ka në filozofinë e Maks Weberit, i cili pos formulimit të djathtizmit si orentim idologjik-politik, ka vënë në spikamë edhe çështjen e elitave politike, por edhe të burokracisë, në kuptimin e administratës së shtetit.

Edhe pse në Evropë, dhe në SHBA është bërë një debat i gjerë filozofik lidhur me ideologji të ndryshme, lidhur me rryma të ndryshme të filozofisë politike, që nga klasicizmi, e deri te liberalizmi, që nga komunitarëanët e deri te barazitistët, që nga liberalistët e deri te libertarianët, dhe janë shfaqur, megjithatë vendi dhe rëndësia e partive të djathta dhe të qendrës së djathtë ka qenë vendimtar në ecurinë e zhvillimeve të brendshme të shteteve, të rajoneve të ndryshme të Evropës, të saj në raport me kontinente të tjera, dhe ka udhëhequr njerëzimin drejt prosperitetit, paqes e stabilitetit.

Edhe në raport me çështen e lirisë, pavarësisë, demokracisë në Kosovë dhe në rajonin tonë, partitë e djathta dhe të qendrës së djathët evropiane të mbledhura në grupin e Partive Popullore Evropiane, kanë pasur një rol të madh dhe vendimtar për lirinë e Kosovës, për pavarësinë e saj dhe për funksionimin demokratik të saj.

Pranimi i LDK-së si anëtare me të drejta të plota në këtë grupim partish është një vlerësim për Kosovën, është konfimim i angazhimit të tyre për të mbrojtur vlerat e lirisë, pavarësisë e demokracisë në Kosovë dhe për të mbështetur Kosovën në fuqizimin e saj të brendshëm, rajonal dhe më gjerë.