Vllasi: Kosova nuk guxon ta pranojë asnjë ultimatum të Serbisë

26.12.2016 18:08:26

Ultimatumi i kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk guxon të pranohet nga pala shqiptare. Kështu thotë analisti politik, Azem Vllasi, i cili shton se kjo është një shprehje e një arrogance nga ana e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq.

“Kjo si ultimatum nuk guxon të pranohet nga pala shqiptare. Pozicioni që e ka kryeministri ia jep këtë kompetencë që askush në qeveri nuk munde të bëhet anëtar i kabinetit pa pëlqimin e tij”, ka thënë Vllasi në Info-Magazine të Klan Kosovës.

“Ultimatume nga Serbia nuk duhet pranohet as për këtë çështje as për tjera çështje. Kryeministri duhet të tregojë vendosmëri dhe qëndrueshmëri por kjo gjë nuk po ndodh dhe nuk ka ndodh as përpara”, ka potencuar Vllasi.

“Vuçiq dhe Beogradi janë përfaqësues dhe udhëheqës, ata dhe qeverisin me serbët e Kosovës, ashtu po sillen. Por sidoqoftë Qeveria jonë duhet të reflektojë dhe të tregojë dinjitet”, pohon Vllasi.

“Qeveria e Kosovës nuk duhet të varet prej segmentit serb prej atyre tre ministrave. Qeveria duhet t’i mbrojë interesat e Kosovës duke mos i lënë anash as interesat e komuniteteve të ndryshme”, thotë Vllasi.