VMRO-DPMNE dhe LSDM në misione për të zhbërë Platformën e Tiranës

04.01.2017 11:29:02

Dy partitë më të mëdha maqedonase janë vënë në aktivitet të heshtur politik për të minuar marrëveshjen e arritur në Tiranë midis partive kryesore shqiptare për një Platformë të përbashkët për zgjidhjen e çështjeve të shqiptarëve, kërkesa që ishin shpalosur edhe gjatë fushatës, gati në mënyrë identike nga të gjitha partitë.

Përfaqësues të njërës prej partive shqiptare theksuan për INA se janë oferta ta ndryshme indirekte për të lënë në heshtje çështjet e kërkuara sipas Platformës së Tiranës dhe fillimisht të shkohet me një plan rehabilitimi social dhe ekonomik. “Po është e vërtetë se ka oferta të ndryshme nën tavolinë dhe përmes qarqeve të ndryshme që ofrohen. Kërkohet me ngulm bisedime dhe komunikime. Gjithçka është në lojë dhe skenare të ndryshme”, theksoi për INA, një përfaqësues i një partie shqiptare, e cila ishte pjesë e takimit të Tiranës.

LSDM siç bëhet e ditur kërkon që të shkohet me planin e masave emergjente për rimëkëmbje sociale, ekonomike, reforma në gjyqësor, krijimin e kushteve për funksionimin e PPS dhe më pas të shkohet me çështje etnike. Nga kjo parti pranojnë dhënien e njërit prej tre posteve kryesore në shtet. Por edhe idenë e vendimeve koncensuale në Qeveri, përmes ndryshimit të Ligjit për Qeverinë.

Nga VMRO-DPMNE gjithashtu janë të hapur për çështjet gati të njejta dhe ka joshje të tjera, vetëm e vetëm kjo parti të ngelet në pushtet. Deri tani nuk bëhen të ditura detaje lidhur me ate se cili është pozicioni i partive maqedonase për platformën e Tiranës.