Një vrasje e rëndë ka ndodhur ditën e mërkurë në fshatin Llaushë të Skenderajt, ku një burrë dyshohet se vrau gruan e tij, 48 vjeçare.
Policia ka njoftuar se i dyshuari 51 vjeçar, dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës.
Lidhur me rastin, Policia ka arrestuar personin e dyshuar dhe nga i njëjti ka sekuestruar një armë të llojit Pistoletë me tre fishekë dhe ka sekuestruar në vendin e ngjarjes 6 gëzhoja
“Nga hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se personi i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës (gruas së tij) L.Q., 48 vjeçare, e cila kishte pësuar lëndime të rënda, të njëjtën me urgjencë e kanë dërguar në spitalin rajonal në Mitrovicë”.
“Lidhur me veprën penale është arrestuar një person i dyshuar, nga i njëjti është sekuestruar një armë e llojit Pistoletë me tre fishek, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gjashtë (6) gëzhoja. Pas intervistimit të dyshuarit S.Q,.51 vjeçar, i është caktuar masa e ndalimit policor. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Për vrasjen në Llaushë të Skenderajt ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës, të cilat kanë kërkuar dënim maksimal për dorasin.
“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim të thellë ka përcjellë raportimin e bërë sot nga mediat lidhur me vrasjen e gruas me inicialet L.Q., 48 vjeçare nga bashkëshorti i saj S.Q,.51 vjeçar, në Llaushë të Skenderajt”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, në komunikatën për medie thuhet se duke parë se rastet e vrasjes së grave nga burrat e tyre janë në rritje, RrGK kërkon nga institucionet që rastet e tilla të trajtohen me seriozitet të shtuar nga të gjitha organet e drejtësisë si Policia, Prokuroria dhe Gjykatat.
“Ky rast vetëm se na shpërfaq e na rikujton edhe njëherë mangësitë institucionale në trajtimin e duhur të vrasjeve të grave dhe femicidit. Edhe një grua vdiq në vendin në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të dënimeve dhe me dënime të ulëta. Prandaj, RrGK kërkon hetim të këtij rasti deri në provën e fundit si dhe kërkon dënim maksimal ndaj të akuzuarit”, thuhet në reagimin e tyre.
Ndryshe, së fundmi në Kosovë janë rritur rastet e dhunës në familje, ku në bazë të njoftimit të Policisë, janë burrat ata që ushtrojnë dhunë fizike ndaj bashkëshorteve të tyre.