Vrasja e Nazmi Ajetit shqyrtohet në Apel (Video)

08.10.2016 14:19:28

Ankesat e prokurorisë, palës së dëmtuar dhe të akuzuar rreth dënimit për vrasjen e Nazmi Ajetit janë shqyrtuar në Gjykatën e Apelit.

Nazmi Ajeti u vra më 17 dhjetor 2015 në fshatin Milloshevë të Obiliqit, ndërsa për vrasjen e tij të shkaktuar sipas prokurorisë nën tronditje të thellë mendore, u dënua me 6 vjet burg Valon Emini.

Emini gjatë procesit gjyqësor pranoi fajësinë, ndërsa familja e tij me familjen Ajeti u pajtuan në Kullën e Zahir Pajazitit në një tubim ku i pranishëm ishte edhe Ramush Haradinaj.

Gjatë shqyrtimit të ankesave në lidhje me këtë vrasje në apel mungoi prokurori, ndërsa Naim Rudari, avokati i palës së dëmtuar u ankua se kishte shkelje gjatë procesit në themelore në të cilin u dënua Valon Emini.

“Aktakuza e prokurorisë ka pasur shkelje të shumta dhe gjykata e ka pranuar pranimin e fajësisë kur ne kemi qenë kundër asaj, se në aktakuzë është theksuar për një vepër për të cilën nuk ka pasë bazë dhe është larguar një vepër tjetër për të cilën ka pasur elemente të shumta”, tha avokati Rudari.

Rudari mbështeti propozimin e prokurorisë për dënim më të lartë të Valon Eminit nga Gjykata e Apelit.

“Njëkohësisht mbështesim edhe propozimin e Prokurorisë Themelore edhe të Apelit që tani të dënuarit t’i shqiptohet një dënim më i lartë për arsye se në aktgjykimin e shkallës së parë nuk janë marrë për bazë rrethanat rënduese të cilat e kanë përcjellë këtë rast,” tha Rudari.

Ndërsa Tahir Rrecaj, avokati i Valon Eminit dënimin nga themelorja të të mbrojturit të tij e konsideroi të rëndë.

“Dënimet e shqiptuara për secilën vepër penale veç e veç për të mbrojturin tim janë tepër të rënda”, tha Rrecaj.

Ai kërkoi që apeli ta dënojë më pak Valon Eminin.

“Mbetem në tërësi pranë ankesës, propozoj që ankesën ta aprovoni dhe ndaj klientit tim të ndryshoni aktgjykimin dhe ti shqiptoni një dënim më të butë si dhe t’i ndërpritni masën e paraburgimit. Ankesat e prokurorit dhe të palës së dëmtuar të refuzohen se janë krejtësisht të pabazuara”, tha Rrecaj.

Kryetari i kolegjit tha se së shpejti palët do ta marrin vendimin nga Gjykata e Apelit për këtë rast.