Trafikimi i shqiptarëve drejt Anglisë, 3500 euro për një kartë identiteti polake

08.10.2016 14:04:48

Një nga skemat e trafikimit të Shqiptarëve drejt Anglisë, është ajo e pagesës së një shume të konsiderueshme, prej 3500 dhe për të marrë një kartë polake. Kështu citon Europol, i cili ka deklaruar se ka shkatërruar një organizatë ndërkombëtare, që merrej me trafikimin e ukrainasve dhe shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe.

Hetimet nisën para 1 viti dhe tashmë janë 11 të dyshuar të arrestuar në Poloni. Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, janë konfiskuar pajisjet e komunikimit, pasaporta polake dhe kartat e identitetit të përdorura nga rrjetet kriminale.

Vitin e kaluar Roja Kufitare polake kishte filluar një hetim për një grup të organizuar kriminal, që merrej me kalimin e paligjshëm nga Polonia në Britaninë e Madhe. Grupi kriminal përbëhej nga shtetas kryesisht polakë që jetonin në Poloni dhe Britani.

Europol thotë se shtetasit ukrainas dhe shqiptarë mbërrinin në Poloni në mënyrë të ligjshme. Më pas kanë marrë karta identiteti polakë, me të cilat kanë udhëtuar në Britaninë e Madhe. Ndërsa prisnin në Poloni, shqiptarët dhe ukrainasit mbaheshin të strehuar në motele. Më pas dërgoheshin në aeroportet e ndryshme në Poloni për tu nisur drejt Britanisë.