Vrasja e Oliver Ivanoviq mbolli frikë të bashkëpartiaku Marko Jaksiq,

04.02.2018 12:59:26

Pas vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, asamblisti i Mitrovicës së Veriut, Marko Jaksiq, i cili ishte edhe bashkëpartiak i Ivanoviqit, ka deklaruar se ndjehet i frikësuar se do ta vrasin edhe atë.

“Unë nuk kam pasur frikë nga vdekja. Pas asaj çfarë i ndodhi Oliverit, po mendoj për të njëjtën gjë dhe kam frikë vetëm se më nuk do të mund të shkruaj këtu, se kush dhe pse më vrau prapa shpinës”, ka shkruar ndër të tjera, Marko Jaksiq.

Ky i fundit nuk ka dhënë ndonjë detaj më tepër nëse ka marrë ndonjë kërcim me vdekje.

Megjithatë, ky nuk është mesazhi i parë dhe i vetëm i një prej personave publik të pjesës së Mitrovicës së Veriut.

“Sot isha në ‘takim’ me Vuçiqin si një anëtar i opozitës, prisja të thirresha dhe u përgatita të bëja pyetje, por hoqa dorë, sepse nuk kishte aparate fotografike dhe kisha frikë. Nga 250 vetë në sallë, ishte vetëm njëri që qëndronte i ulur dhe nuk duartrokiste kur udhëheqësi ynë hyri. Unë kaq kam mundur dhe kam pasur guxim të bëja”, shkroi më 20 janar, pas një takimi prapa dyerve të mbyllura në Fakultetin Teknik në Mitrovicën e Veriut me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku ishin prezent anëtarët e Listës Serbe dhe krerët e institucioneve që duartrokisnin. Marko Jaksiq, gjatë zgjedhjeve lokale në Kosovë, në fund të tetorit të vitit të kaluar, ishte në listën e Iniciativës Qytetare të Oliver Ivanoviq, (SPO) dhe u bë këshilltar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës Veriore.

Theksojmë Oliver Ivanoviq u vra me gjashtë të shtëna prapa shpinë, më 16 janar, gjatë mëngjesit para zyrës së partisë.

Kujtojmë se po të njëjtën datë, në vitin 2014 u vra edhe bashkëpartiaku i Markos dhe Oliverit, Dimitrije Janicijeviq, kandidat për kryetar i Mitrovicës së Veriut.