Vrasja në Dukagjin, jo për pronat por për parcelat me drogë

17.09.2016 14:52:54

Konfliktet për parcelat me kanabis, ishte motivi i vrasjes së Gjok Arrës nga vëllezërit Luigj Bludaj, 31 vjeç dhe Çesk Bludaj, 37 vjeç banues të dy në fshatin Gjuraj të Dukagjinit. Krimi ndodhi më 15 shtator të 2016 dhe atë ditë poliia u shpreh se vrasja ndodhi për konflikte pronësie. Por burimet shprehen se konflikti mes familjes Arra dhe Bludaj kishte nisur një muaj më parë, për parcela të mbjella me kanabis në tokë pa pronar.

Gjok Arra, dyshohet se kishte kryer një investim prej 80 mijë eurosh, në një prej këtyre parcelave në zonat e thella të Dukagjinit. Kjo kishte hapur debate mes palëve, madje 30-vjeçari Arra i kishte akuzuar vëllezërit Bludaj se e kishin denoncuar atë në polici, gjë që solli edhe asgjësimin e disa parcelave të tij, në afërsi të fshatit Gjuraj ku dhe ata jetonin.

Por përplasjet mes viktimës dhe vrasësve nuk mbaronin me kaq. Këta të fundit e akuzonin Arrën se u kishte vjedhur disa rrënjë kanabis  në parcelat e tyre. Këto përplasje sollën të enjten edhe vrasjen 30-vjeçarit. Një prej vëllezërve, Luigj Bludaj u dorëzua mbrëmjen e djeshme, pas negociatave me policinë. Ndërkohë, policia e ka shpallur vëllain tjetër në kërkim dhe vijon kontaktet me familjarët, që ta binin këtë të fundit për tu vetëdorëzuar.