Ahmeti ka një përgjigje për deklaratën e Veselit

17.09.2016 15:12:19

Deklaratës së Kadri Veselit, se “Prishtina po humb shumë me Shpend Ahmetin” i është përgjigjur ky i fundit.

“Thotë kryetari i partisë që të rrallë i ka kryetarët pa aktakuza për korrupsion”, ka komentuar Ahmeti.

Komentet, Veseli i bëri në një konferencë për media ku mohoi se Behgjet Pacolli do të jetë kandidat i përbashkët i PDK-së dhe AKR-së për Prishtinë. Veseli tha se “PDK iu siguron se do ta ketë një kandidat shumë të denjë për kryeqendrën e Republikës së Kosovës e cila meriton vëmendjen dhe respekt më shumë se sa ka pasur gjatë këtyre 17 viteve”.

Koha Ditore, duke u thirrur nga dy burime të ndryshme e të sigurta ka raportuar se Pacolli do të mund të jetë kandidat i përbashkët i PDK-së e AKR-së për kryetar të Prishtinës. Të dy këto parti kishin qeverisur vendin në një mandat të lënë në gjysmë, kur Thaçi ishte kryeministër e Pacolli zëvendës i tij. Pas atyre zgjedhjeve partia e Pacollit nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind duke mbetur jashtë skenës politike parlamentare.