Basha: Droga po shkatërron jetën e shoqërisë dhe pasurive të vendit

17.09.2016 15:13:03

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar sot lidhur me vrasjet që kanë në sfond përplasjet për kontrollin e narkotikëve si dhe ndikimin e këtij fenomeni në shoqërinë shqipatre.

Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në rrjetin social, Basha shkruan: “Një 31-vjeçar u ekzekutua para pak ditësh në Dukagjin, i vrarë nga dy të afërm. Arsyeja: konfliktet për kanabisin.

Është viktima e pestë gjatë këtyre muajve për shkak të drogës. Fatkeqësisht, spiralja e përgjakshme e krimit vetëm sa ka filluar dhe do të shtohet”. Sipas tij, droga dhe narkotrafiku sjellin veç një gjë “shkatërrim të jetës, të shoqërisë dhe të pasurive të vendit”. “Kështu ka ndodhur kudo në botë, kështu po ndodh edhe ne Shqipëri. Droga po vret, madje nuk po kursen as brenda familjes.

Droga po shkatërron burimet natyrore të vendit, duke i vënë të gjitha në dispozicion të trafikanteve. Droga po shkatërron shoqërinë, duke i kthyer njerëzit e zakonshëm, madje edhe fëmijët, në shkelës të ligjit dhe në kriminelë”, ka thënë kreu i opozitës.

Ai ka shtuar se, “tani droga po pushton politikën, me policinë dhe qeverinë që janë të kapura nga trafikantët dhe që janë vënë në shërbim të tyre”. “Droga po shkatërron procesin politik. Sikurse u pa në Dibër, tashmë edhe zgjedhjet i vendosin kriminelët.

Edi Rama dhe qeverisja e tij i ka vënë shqiptarët para dy alternativave: ose të vihen në shërbim të kriminelëve të drogës, ose të emigrojnë. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, ka vijuar Basha, duke bërë kryeministrin përgjegjësin kryesor për situatën.