Vrasjet: Hashim Thaçi, nuk mjaftojnë vetëm konferencat për gazetarë

10.10.2016 17:52:58

Nga Rexhep Kastrati

Hashim Thaçi sot e mbajti konferencën për gazetarë, e të cilën e kishte shtyrë pak ditë më parë për shkak të angazhimeve të tij diplomatike. Kjo konferencë për gazetarë, iu kushtua tërësisht krimeve të luftës dhe të pasluftës, përkatësisht shpërfaqjes së vullnetit të tij për zbardhjen e tyre. Në fakt, vetë adresimi i publikut për këtë çështje do të mund të konsiderohej një ngjarje e veçantë, pasi që është adresim i njeriut që gjatë viteve është akuzuar bashkë me Kadri Veselin se qëndron mbrapa krimeve të tilla. Dhe këto akuza u janë bërë nga brenda, por edhe nga media ndërkombëtare, gjithnjë në konktekst të eliminimit të kundërshtarëve politikë. Mirëpo, ky adresim jo që nuk është i veçantë, por nuk mund të konsiderohet as një ngjarje me rëndësi, sepse është adresim që u bë 19 vjet më vonë, nëse e marrim si pikë reference vrasjen e Ali Ukajt e këndej. Kjo do të thotë se adresimi i sotëm është shumë i vonuar dhe kur shumë prova, shumë dëshmitarë ose kanë vdekur vetë, ose janë vrarë në përpjekje për të zhdukur gjurmët etj. Si personalitet publik që kamdenoncuar krimin dhe dhunën politike ndaj politikanëve, ushtarakëve e gazetarëve, për 18 vjet me radhë, dhe i sulmuar me bomba dhe i kërcënuar vazhdimisht, adresimin e sotëm e shoh me skepticizëm, edhe për arsyet e mësipërme, edhe për arsye që lidhen edhe me faktorë dhe aktorë që janë jashtë jurisdiksionit të gjykatave të Kosovës. Po ashtu, në shumë raste, për të mos thënë në të gjitha rastet, srrukturat mafiozo-politike, agjentura dhe segmente të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare janë kujdesur që të prishin privat dhe të eliminojnë njerëzit e implikuar, ose që janë në dijeni të krimeve. Në këtë kuptim,gjithsesi duhet përmendur vrasjen e Ruzhdi Shaqirit nga ana e Gani Gecit, sepse kjo vrasje është bërë vetëm pak kohë pas ndërmjetësimit të Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit për pajtimin e Gani Gecit me Azem Sylën. Po ashtu, duhet të përmendet vrasja e Agron Mehmetit por edhe atentatorët e atentatit ndaj Fetah Rudit. Pra, është një numër i konsiderueshëm i eliminimeve të njerëzve të implikuar në krime të ndryshme politike. EULEX ka bërë marrëzinë më të madhe që mund ta bëjë ndonjë institucion ligjor: ka bërë obduksion mbi fosilet e Abedin Rexhës “Sandokanit” dhe pas 17-18 vitesh konstaton se vdekja nuk i ka ardhë nga plumbat, por nga sulmi në zemër. Natyrisht se unë nuk jam ekspert ligjor, dhe as kardiolog, por të konstatosh vdekjen nga sulm në zemër 17-18 vjet pas vdekjes ap vrasjes, nuk mund të merret me mend. Të gjitha këto që i përmenda lënë për të kuptuar se mund të ketë pasur bashkëpunime të ndryshme në krimet e kryera, gjë që e bën edhe më të vështirë zbardhjen e plotë të këtyre krimeve. Po ashtu, edhe krijimi i alibive të ndryshme edhe nëpërmjet ekspertëve, qoftë edhe për arsye se personat që u krijohen alibira të tilla mund të jenë dëshmitarë me maska ose pa maska  kundër të tjerëve, mund të konsiderohen rrethana që vështriësojnë zbardhjen e plotë të krimeve të kryera gjatë luftës dhe pas saj. Një arsye tjetër pse e shoh me skepticizëm adresimin e sotëm të Hashim Thaçit ka të bëjë me faktin se në këto krime janë të përfshirë shumë faktorë vendorë, rajonalë dhe më gjerë, e që e nënkupton një oktapod kriminal që ua ka marr jetën shumë personaliteteve të njohura, ose më pak të njohura. Përkundër këtyre, mbetet të shihet  se si do të shkojë kjo çështje dhe sa ka qenë ky adresim i Hashim Thaçit adresim serioz, dhe sa ka qenë adresim për të bërë shfaqje mediatike. Gjithsesi, derisa nuk do të zbardhen vrasjet politike, gishti do të jetë i drejtuar edhe kah ai dhe kah Kadri Veseli. Personalisht vrasjen e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut ia kërkoj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Gani Gecit për aq kohë sa nuk do të jepen prova të sakta dhe të plota për mosimplikim të tyre, ose për mosangazhim për eliminimin e dëshmitarëve dhe pamundësimin e zbardhjes së plotë të të vërtetës për vrasjen e tyre. Aq më tepër se vrasja e Ruzhdi Shaqirit e kryer nga Gani Geci pak kohë pas ndërmjetësimit të Hashimit dhe të Kadriut, është vrasje e një njeriu të implikuar në vrasjen e Bekim Kastratit dhe të Besim Dajakut.