Reagon Policia e Kosovës ndaj afisheve të ‘Vetëvendosjes’

10.10.2016 18:00:19

Policia e Kosovës, ka reaguar ndaj aksionit simbolik të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilin e bënë gjatë ditës së sotme.

‘’Policia e Kosovës është në dijeni dhe ka informacione për shpërndarjen nga disa persona të caktuar, të fletushkave (NJOFTIM), ku keqperdoret edhe logoja e Policisë së Kosovës’’ ka thënë për Klan Kosova, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Sipas Hoxhës, në momentet kur keqpërdoret logoja e institucionit në fjalë, me çështje të tilla merren autoritetet kompetente sipas ligjeve në fuqi.

 ‘’Lidhur me këtë është njoftuar Prokuroria.Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmeren në konsultim dhe koordinim me prokurorinë kompetente bazuar në procedurat dhe autorizimet sipas ligjeve në fuqi’’, ka përfunduar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë ditës së sotme realizuan nj aksion simbolik, gjatë të cilit kanë shpërndarë disa afishe – njoftime me logo të Policisë së Kosovës, me të cilat u bëjnë thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes.