Vrau pronarin britanik, ekstradohet në Angli 24-vjeçari nga Durrësi

15.01.2020 16:44:27

Ekstradohet drejt Britanisë së Madhe 24-vjeçari shqiptar, i kërkuar nga drejtësia për vrasje. Mësohet se është ekstraduar shtetasi Elton Sefa, 24 vjeç, banues në Durrës. Më datë 17.04.2018, rreth orës 14:30 ka sulmuar pronarin ku punonte, shtetasin J. W., duke i shkaktuar atij vdekjen.

Pas kryerjes së vrasjes, Sefa është larguar nga territori i MB-së dhe është arrestuar në Shqipëri, me qëllim ekstradimi drejt Anglisë.

Ekstradimi i këtij shtetasi është bazuar në urdhrin që mban datën 05.01.2018, të Gjykatës së Magjistratëve në Westminster, Mbretëri e Bashkuar, pasi nga kjo Gjykatë është caktuar masë sigurimi “Arrest në burg “ për këtë shtetas, për veprën penale “Vrasja”, parashikuar nga legjislacioni penal britanik.

Ky shtetas ka bërë rekurs ndaj vendimit të lejimit të ekstradimit në shtetin britanik, por Kolegji Penal ka rrëzuar kërkesën e tij dhe është lejuar ekstradimi drejt Mbretërisë së Bashkuar.