Vuçiq i ankohet ambasadorit gjerman për ngjarjet në Mitrovicë

30.03.2018 14:05:32

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bisedoi të premten me ambasadorin e Gjermanisë në Beograd, Axel Dittmann, për marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, pas ngjarjeve të kësaj jave në Mitrovicën e Veriut.

Të hënën, Policia e Kosovës ka ndaluar dhe dëbuar shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka hyrë pa lejen e autoriteteve kosovare në Mitrovicën e Veriut.

Dittmann tha se dy palët duhet të vazhdojnë dialogun për normalizim marrëdhëniesh me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Vuçiq dhe Dittmann thanë se është e rëndësishme që të ulen tensionet dhe që gjendja e tanishme të zgjidhet në rrugë paqësore, në dobi të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

Vuçiq tha se Gjermania i ofron mbështetje të madhe Serbisë në rrugën e integrimit evropian.