Vuçiq: Jemi harmonizuar rreth çështjes së personave të zhdukurve dhe të zhvendosurve si dhe kemi hapur temën e Asociacionit

07.09.2020 15:08:47

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar në Bruksel pas takimit me palën kosovare, se “në thelb janë harmonizuar” rreth çështjes së të pagjeturve dhe personave të zhvendosur, duke theksuar se kanë trajtuar edhe çështjet ekonomike duke hapur “dy tema të reja”, ku një prej tyre është edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, shkruajnë mediat në Serbi.

“Sot janë hapur dy tema të reja: çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ajo e pronave dhe kërkesave financiare”, ka shtuar Vuçiq para gazetarëve pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin, transmeton Telegrafi.

Shefat e ekspertëve të ekipeve negociuese nga Kosova dhe Serbia, Skender Hyseni dhe Marko Gjuriq, do të vazhdojnë bisedimet për Asociacionin më 17 shtator, kurse takimi i radhës në nivelin më të lartë është planifikuar të mbahet më 28 shtator në Bruksel ka bërë të ditur presidenti serb.

“Po vijnë çështjet më të rëndësishme dhe më të vështira në rend të ditës, për shumë çështje kemi qëndrime të kundërta, do të jetë një proces i komplikuar dhe i vështirë”, ka thënë ndër tjera Vuçiq.