Wuhan ndalon ngrënien e kafshëve të egra për shkak të pandemisë, vendimi në fuqi për 5 vjet

20.05.2020 19:26:56

Qyteti kinez, Wuhan ka ndaluar ngrënien e kafshëve të egra, një praktikë që besohet të ketë shkaktuar pandeminë e coronavirusit. Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, vendimi i ri hyri në fuqi më 13 maj dhe do të qëndrojë në fuqi për pesë vjet.

Ekspertët në Kinë thanë në janar se virusi ka gjasa të jetë transmetuar tek njerëzit nga kafshët e egra të shitura në një treg në qytetin e 11 milionë banorëve.

Tregu “Huanan” që besohet të ketë shkaktuar shpërthimin global, u mbyll më 1 janar, pas krizës shëndetësore.

Provinca kineze Hubei me kryqytetin Wuhan, miratoi një ligj në muajin mars, për të ndaluar ngrënien e kafshëve të egra, përfshirë ato që rriten nga njerëzit. Në shkurt, qeveria qendrore e Kinës bllokoi të gjithë tregtinë dhe konsumin e kafshëve të egra me një ligj të përkohshëm.

Tregtia e përgjithshme e kafshëve të egra të Kinës është me vlerë rreth 520 miliardë yuan (57miliardë funte), sipas një raporti qeveritar nga 2017.