Xuxi aderon në AAK, flet për hyrjen në parti: Nuk do ta lë anash as muzikën

09.05.2017 17:28:41

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka njoftuar se këngëtari dhe prezantuesi, Naim Bunjaku – Xuxi i është bashkuar AAK-së.

“Sot iu bashkua AAK- së njëri ndër zërat më të dëgjuar në Kosovë, Naim Bunjaku Xuxi! Ka ardhur koha për ndryshim!”, ka shkruar Daut Haradinaj në postimin e tij në Facebook.

Ndërkohë, Telegrafi ka arritur të kontaktojë me vet këngëtarin, i cili shprehet se ndjehet i lumtur të jetë pjesë e kësaj partie, simpatizues i së cilës ishte prej kohësh.

“Unë jam fans i madh, simpatizues i Ramush Haradinajt prej kohësh duke parë që ky është momentumi i vendit tonë, kam vendosur që ti bashkangjitem AAK-së për ta ndihmuar që t’i arrijë qëllimet e saj, që me ardhur në pushtet”, tha Xuxi për Telegrafin.

I pyetur për punën dhe aktivitet që do të zhvillojë brenda AAK-së, Xuxi tregoi se do të merret me çështjet e marrëdhënies me publikun, ndërsa mohoi qëllimet për të kandiduar për deputet.

“Jo, nuk do të kandidoj për deputet. Unë bëj punën time si PR, të cilën di ta bëj më së miri, mundohem që gjithë energjinë time ta shkrijë në këtë drejtim për AAK-në, por asesi nuk do të mbes prapa as me profesionin tim si këngëtar”, tregon më tej këngëtari.

Ndërkohë, i pyetur për projektet e reja në muzikë, Xuxi eliminoi stinën e verës, duke treguar se diçka të re prej tij presim në shtator.

“Besoj në shtator do të vijë me projekte të reja, pasi është edhe stina e vjeshtës, ngase angazhimi në spektaklin ‘The Voice of Albania’ na ka marrë shumë kohë”, përfundoi Xuxi për Telegrafin.