Ymeri i SBASHK-ut: Nëse Ligji i pagave kalon në Kuvend, shpresojmë te Presidenti (Video)

30.01.2019 22:14:25

Menaxheri për financa në SBASHK, Ymer Ymeri, ka thënë se Këshilli Drejtues i kësaj sindikate i ka dërguar letër Kryeministrit që të tërheq ligjin për paga.

Ymeri, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se nëse Kryeministri nuk e merr parasysh apelin e tyre, ata do t’u drejtohen edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të mos e votuar Ligjin e pagave.

Menaxheri për financa në SBAShK ka thënë se nëse edhe Kuvendi i Kosovës e kalon ligjin e propozuar për paga, atëherë SBASHK-u do t’i drejtohet Presidentit për të mos e dekretuar këtë ligj.

“Do t’i shfrytëzojmë të gjitha instancat ligjore që parashihen me ligjet e Kosovës për të tërhequr këtë ligj, ose përmirësuar. Do t’i drejtohemi edhe Presidentit për mos akreditim të këtij ligji dhe kthim mbrapa [të këtij ligji]”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ymeri ka thënë se SBASHK-u nuk preferon që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme pa u përmirësuar dhe miratuar ligji për paga.

“Nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, pasi të votohet Ligji [aktual] për paga, neve na mbetet vetëm dera e Presidentit. Do të mbledhim nënshkrime duke iu drejtuar Presidentit për mos dekretim të këtij ligji”, deklaroi ndër të tjera Ymer Ymeri.