Ymeri nuk pajtohet me zërat që kërkojnë të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi

13.04.2017 12:57:34

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se përkundër kundërshtimeve të mëdha që i janë bërë demarkacionit me Malin e Zi, Qeveria e Kosovës po insiston se duhet të ratifikohet.

Ymeri ka shkruar në Facebook duke thënë se kjo kërkesë e qeveritarëve është kundër vullnetit të popullit.

Mirëpo, pothuajse të gjithë zyrtarët lartë të vendeve mike të Kosovës kanë bërë thirrje që të ratifikohet demarkacioni. I fundit që bëri thirrje është Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, që po vazhdon vizitën në Kosovë.

Ai tha se pa ratifikim të demarkacionit me Malin e Zi s’ka liberalizim të vizave.

Nërsa Ymeri e ka përmednur edhe peticionin e qytetarëve që ka thënë se janë mbledhur 205 mijë nënshkrime kundër demarkacionit.

“Po bëhen 1 vit e 8 muaj që kur është nënshkruar e ashtuquajtura Marrëveshje për demarkacion me Malin e Zi. Që atëherë numri i kundërshtarëve të saj, për shkak të dëmeve të saj, vetëm sa ka shkuar duke u rritur. 205 mijë qytetarë në peticion, qindra mijëra që kanë marrë pjesë në një dyzinë protestash e demonstratash kundër demarkacionit e Zajednicës në protesta, banorët e organizuar të zonave kufitare, të gjithë ekspertët e fushave relevante, deputetët e opozitës, ata të pavarur, madje edhe deputetë të koalicionit, njëzëri e kundërshtojnë dhe kërkojnë zgjidhje tjetër për çështjen. Por jo edhe qeveritarët. Isa Mustafa, Hashim Thaçi e Kadri Veseli vazhdimisht insistojnë në ratifikimin e po kësaj marrëveshje të dëmshme. Kështu hedhin poshtë edhe shkencën edhe legjitimitetin politik. Dhe çuditërisht ka të tillë persona nga skena publike në vend që po këtë shpërfillje të ekspertizës dhe demokracisë e përkrahin dhe madje e kërkojnë. Gjithnjë në emër të interesit të qytetarëve. Kundër vullnetit të popullit. Si dhe kundër interesave të tij të shprehura publikisht. Brenga kryesore e qytetarëve është papunësia. Brenga kryesore e Qeverisë për popullin është liberalizimi i vizave. Këta qeveritarë në fushatë zgjedhore premtonin vende pune e tash ankohen se nuk po mund ta bëjnë liberalizimin e vizave. Këtyre që duan që qytetarët të kenë veçse viza për të dalur jashtë Kosovës duhet t’ua marr populli vizën që të qëndrojnë brenda pushtetit”, ka shkruar Ymeri në Facebook.