Zafir Berisha e do Kosovën të jetë krahinë

22.10.2016 12:06:34

Deputeti i NISMA për Kosovën , Zafir Berisha e ka quajtur Kosovën një krahinë të Shqipërisë. Sipas tij, një ditë Shqipëria do të jetë një shtet i vetëm.

“Ne jemi shqiptarë, që jetojmë në krahinën e Shqipërisë, që quhet Kosovë. Dhe, sot ose nesër, herët apo vonë Shqipëria do të jetë një dhe meqë sot rrethanat e politikës globale na kanë pozicionuar ashtu siç na kanë pozicionuar, kjo nuk nënkupton që kemi hequr dorë nga ideja e Shqipërisë natyrale”. ka thënë Berisha në Ora e Fundit të Klan Kosova.

Zafir Berisha ka thënë se nuk duhet hequr dorë nga Shqipëria Natyrale.

“Përse duhet të heqim dorë nga kjo?”, ka pyetur Berisha duke u vetëpërgjigjur. “Asnjë komb s’ka hequr dorë”.

Sipas tij nëna edhe baba e Kosovës është Shqipëria.

“Ne edhe nënë edhe babë e kemi Shqipërinë. Kur them Shqipërinë e kam fjalën për Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët në Maqedoni e deri në Çamëri”, ka thënë ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.