Zafir Berisha i quan të kota rekomandimet e dala nga seanca për Deharin

20.12.2016 19:26:23

Në lidhje me seancën e jashtëzakonshme për rastin Dehari, deputeti nga radhët e NISMA-s, Zafir Berisha, ka shprehur çudinë e tij që kërkesa ka ardhur nga PDK-ja, që sipas tij, fillimisht e kishte kundërshtuar një seancë të tillë.

Në këtë seancë janë miratuar disa rekomandime, të cilat për deputetin Berisha janë të kota.

“Ka qenë në interesin e të gjithëve që të debatohet për këtë çështje, por jo në frymën dhe ngjyrimet si është bërë sot. Kjo nuk i ka kontribuar aspak situatës. Me arrogancën e votave të koalicionit të mazhorancës, janë nxjerrë disa rekomandime koti. LDK-ja ne këtë rast ishte argat i PDK-se, të cilat ishin marrë vesh për disa rekomandime koti”, ka thënë Zafir Berisha, në një intervistë në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës.

Njëri nga rekomandimet është edhe hetimi ndërkombëtar për vdekjen e Astrit Deharit, që sipas deputetit Berisha, nuk do të ketë sukses, pasi që në të kaluarën kishte dhënë asnjë rezultat.

“Një qytetar i Kosovës ka humbur jetën. Për këtë dikush duhet te jap përgjegjësi, në qoftë se nuk kanë qenë përgjegjës të drejtpërdrejtë të paktën të kenë morale. Udhëheqësit e institucioneve duhet të japin dorëheqje” ka thënë Berisha.

Berisha i vlerësoi demokratike zgjedhjet në Drenas, përderisa ka thënë që kandidati i NISMA-s për këtë komunë ka bërë një punë të jashtëzakonshme.

“Xhemajlaj dhe ekipi i tij kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Ka arritur ti tregoj partisë në pushtet që nuk mund të vazhdoj kështu, edhe pse ka pasur një presion të jashtëzakoshëm mbi qytetarët e Drenasit”, ka thënë Berisha.

Në lidhje me kandidatin e PDK-së në këto zgjedhje, Ramiz Lladrovci, Berisha është shprehur i pakënaqur se si janë keqpërdorur emrat e dëshmoreve, duke shtuar që ky nuk është rasti i vetëm.

“Fehmi Lladrovci dhe Ramiz Lladrovci kanë dallim si nata me ditën. Është mirë që dëshmorët ti mbesin historisë e të mos i përziejmë me të tashmen. Nuk është në rregull që të keqpërdoren emrat e dëshmorëve” ka thënë deputeti i NISMA-s.

Duke u nisur nga rezultati i PDK-së në Drenas, sipas Berishës, në zgjedhjet e ardhshme PDK-ja do të përfundoj si partia e katërt ose pestë.