Zero tolerancë ndaj zyrtarëve që ndihmojnë trafikimin

18.10.2016 15:15:00

Megjithëse po bëhen përpjekje në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, ende mbetet edhe shumë për t’u bërë në këtë drejtim.

E po ashtu duhet zero tolerancë ndaj zyrtarëve të cilët bashkëpunojnë dhe ndihmojnë trafikimin me njerëz.

Kështu u tha në konferencën për Ditën e BE-së, Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, organizuar nga Zyra e Koordinatorit Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni tha se institucionet përkatëse duhet të punojnë edhe më shumë, me qëllim që gjatë javëve dhe muajve në vijim, ta ndryshojnë thelbësisht imazhin e Kosovës në këtë fushë. Ndërsa kërkoi nga Prokuroria dhe Gjykatat, t’u japin prioritet lëndëve, që kanë të bëjnë me trafikimin me qenie njerëzore.

Ndërsa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi duke kërkuar përpjekje me të madhe nga institucionet në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, tha se është momenti i duhur që të luftohet ky krim.

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie tha se Kosova po bën përpjekje domethënëse në luftimin e këtij krimi, por ende mbetet shumë punë për t’u bërë, me qëllim që të plotësohen standardet ndërkombëtare, për eliminimin e trafikimit.

Ambasadori amerikan në këtë konferencë ka shpresë se Qeveria do të punojë edhe për themelimin e strehimores në komunat në veri të vendit dhe në identifikimin e fëmijëve që detyrohen të kërkojnë lëmoshë, në mënyrë që ata të kthehen në shkollë.

Delawie po ashtu tha se institucionet e vendit, duhet të kenë zero tolerancë, për të gjithë ata zyrtarë që ndihmojnë trafikimin me njerëz. Ndërkaq shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se për Bashkimin Evropian luftimi i trafikimit me njerëz, është top- prioritet në mbarë botën. Sipas saj rreth 300 projekte kundër trafikimit janë financuar nga Komisioni Evropian me një vlerë totale prej 150 milionë euro gjatë një periudhe 15 vjeçare dhe se edhe Kosova përfiton nga projektet e tilla.

Ndërsa tha se jo vetëm policia dhe Prokuroria, por dhe e gjithë shoqëria duhet të punojë më shumë, me qëllim që të identifikohen dhe ndëshkohen trafikantët.