Zbardhen formacionet, ja si do të luhet ndeshja Itali-Shqipëri (FOTO)

23.03.2017 11:07:48

Trajneri Xhani De Biazi duket se e ka vendosur se si do të luajë ndaj Italisë, nesër në mbrëmjue, ora 20:45, në “Renzo Barbera” të Palermos. Mes mungesash me peshë në prapavijë, për shkak lëndimesh apo pezullimesh, 60-vjeçarit nga Sarmede i është dashur të “meremetojë”. Duke nisur nga porta, së cilës i mungon titullari i padiskutueshëm, Etrit Berisha. Pritet që në këtë sfidë kualifikuese të debutojë Thoma Strakosha, 20 vjeç, i cili është pjesë e Lazios dhe ka eksperiencë tashmë në kampionatin italian. Djali i legjendës së portës kuqezi, Foto Strakosha, duket se ka fituar balotazhin me Alban Hoxhën, duke iu besuar atij ruajtja e katërkëndorit me axurrët. Ajeti konfirmohet në qendër të mbrojtjes, edhe pse nuk ka pasur minuta aktivizim me Torinon, klubin e tij, ndërsa në krah do të ketë Veselin.

Lojtari i Empolit ka rastin të tregojë veten në mungesë të Mavrajt dhe Gjimshitit, edhe pse në një sfidë mjaft të vështirë. Krahët e prapavijës nuk ndryshojnë, teksa Hysaj dhe Agolli do të rreshtohen nga e djathta në të majtë. Para mbrojtjes do të shërbejë si një “filtër” Kukeli, duke marrë pjesë në detyra defensive, por edhe të nxjerrë topin nga gjysmëfusha jonë e të ndërtojë i pari manovrën (kundër)sulmuese të tanëve. Në qendër të mesfushës ka vend për Bashën dhe Memushajn, dy “italianë”, që luajnë përtej Adriatikut, ndërsa krahët e këtij reparti iu besohen Roshit dhe Llullakut. Në majë të sulmit ka vend për Sadikun, ndërkohë që moduli taktik në pamje të parë është 4-1-4-1, por që alternohet në varësi të situatave me 4-5-1. Duket qartë mbipopullimi i mesfushës, ku do të synohet të thyhen italianët, si dhe të mbahet e paprekur porta kuqezi.

Italia – Pas muajve kanonikë pushim, pa ndeshje, ekipet kombëtare po rikthehen në fushë. Nuk u ndal, megjithatë, Giampiero Ventura, i cili zhvilloi zbore me italianët e rinj, kandidatë për fanellën axurre. Ai tashmë është duke u përgatitur për hapin vendimtar, për të fluturuar drejt “Rusia 2018”. Duhet mundur Shqipëria, ndryshe vihet në rrezik kualifikimi në grup. Pasi humbi Gabbiadini dhe thirri Petagna, Bernardeschi mbeti jashtë, telefonoi dyshen Politano-Verdi, tani Ventura shpreson të mos ketë asnjëlloj “aksidenti” me shqiptarët, por të vijojë të kryesojë renditjen e Grupit G.

Për momentin, axurrët kanë dhjetë pikë, aq sa edhe Spanja. Më pas vjen Izraeli me nëntë pikë, Shqipëria me gjashtë pikë, ndërsa në fund, pa asnjë pikë, pozicionohen Maqedonia dhe Lihtenshtajni. Për sfidën e Palermos, Ventura është orientuar për të vazhduar me skemën e tij të dashur 4-2-4. Edhe De Sciglio, që ishte në dyshim për mbrojtjen, nuk ka asnjë problem dhe do të luajë nga fillimi. Për pjesën tjetër, Buffon do të jetë mes shtyllave të portës, në ndeshjen e tij të 1000-të në karrierë. Zappacosta, De Sciglio, Barzagli dhe Bonucci pritet të formojnë katërshen e mbrojtjes. Në mesfushë ka rivalitet të gjerë, por duhet të mbizotërojë përvoja dhe siguria.

Në këtë repart nevojiten lojtarë, që të jenë në gjendje për të mbuluar katër sulmuesit. Gagliardini është zgjedhje e dytë, ndaj “hap krahun” për Verratti dhe De Rossi. Zero dyshime përpara, në pjesën e sulmit: Belotti dhe Immobile  në qendër, të ndihmuar nga krahët prej dyshes Candreva-Insigne, si dy korsi të jashtme. 50 gola sezonalë në Seria A mes Belotti, Insigne dhe Immobile, përbëjnë një shifër të bukur dhe interesante. Në mbrojtje kontrollon Juventusi, ndërsa në pjesët e tjera të formacionit të mundshëm të Italisë ka të rinj “në pushtet”, por edhe veteranë me eksperiencë. /telesport.al/