Zbardhet vrasja në Pogradec, 18 vjeçari ekzekutoi në një lokal bashkëmoshatarin

14.09.2016 12:10:11

17 vjeçari Fabio Hila, nxënës i vitit të 3-të gjimnaz u ekzekutua në lokal nga bashkëmoshatari i tij pas një debati mes të rinjsh në facebook, ku mollë sherri ishte një vajzë. Dëshmitarët tregojnë se autori qëlloi me gjakftohtësi disa herë mbi viktimës.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës në një pikë bastesh në rrugën “Naim Frashëri”, në lagjen nr.3 të Pogradecit. Autori Fabian Muçllari nga fshati Vërdovë kishte debatuar në facebook me Fabio Hilës dhe më pas kishte shkuar në lokal për tu sqaruar.

Të dy janë nxehur dhe kanë nisur të adresojnë drejt njëri-tjetrit sharje dhe fjalë banale, por me ndërhyrjen edhe të personave që ishin të pranishëm në lokal autori është larguar.

Dëshmitarët kanë pohuar se para se të dilte nga lokali, autori F.M. është kthyer nga viktima dhe duke e parë në sy me inat i ka thënë: Mos u largo që këtu, sepse do të vij pas pak që të sqarohemi tamam. Një kërcënim që të gjithë e kanë neglizhuar dhe kanë vazhduar të qëndrojnë të qetë në lokal.

Nuk kanë kaluar as 10 minuta, kur në derë është shfaqur sërish F.M. me një automatik në dorë dhe i është drejtuar tavolinës ku viktima po qëndronte me 4 bashkëmoshatarët e tij dhe armën e ka afruar te Fabio. Ka qenë kushëriri i tij, i cili ka ndërhyrë duke iu lutur që të mos qëllojë, por autori nuk e ka dëgjuar.

 

 

Autori ka qëlluar një herë në ajër dhe ka urdhëruar të gjithë të dalin jashtë, përveç shënjestrës së tij, të cilin e ka mbajtur peng. Në lokalin e zbrazët autori ka nisur të qëllojë drejt viktimës, duke i shkaktuar atij plagë dhe dëmtime që i kushtuan jetën e më tej ai është larguar.

Pak minuta më vonë policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka dërguar drejt spitalit adoleshentin Hila, por ai ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Brenda një kohe të shkurtër është bërë i mundur arrestimi i autorit, i cili ka tentuar të largohet pas krimit të rëndë.

Viktima, djali i vetëm i familjes Hila vazhdonte mësimin në një shkollë private, ndryshe nga autori i cili ndiqte arsimin publik dhe njihej si njeri problematik.