Zeka: Gjykata speciale padrejtësi historike ndaj Kosovës

26.12.2017 13:31:39

Nisma e të premtes në Kuvendin e Kosovës lidhur me zhbërjen apo jo të Gjykatës Speciale ka ngjallur debate të ndryshme për dhe kundër.

Se a duhet kjo çështje të shkojë në Kuvend ka mendime të ndryshme, e lidhur me këtë, Izmi Zeka, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që aktualisht ushtron postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme vlerëson se Kosova është një shtet demokratike dhe në shtete demokratike edhe peticionet edhe kërkesat e nënshkrimet duhet trajtuar si vullnet i qytetarëve.

Zeka thotë se askush nuk duhet të frikohet nëse një kërkesë i kalon të gjitha procedurat ligjore dhe ka mbështetjen e parlamentit dhe duhet shikuar si interes i qytetarëve.

“Kosova ka nevojë për liberalizim te vizave, për ushtrinë e saj, për kyçjen në të gjitha mekanizmat ndërkombëtar e sidomos ato financiare prandaj edhe veprimet tona kanë ruajtur një trajtëshmërinë në këtë drejtim. Ne jemi të vetëdijshëm se gjykata speciale është padrejtësi historike e cila merr për bazë vetëm një etni që shikuar më gjerësisht askund në Ballkan e më gjerë nuk ka ndodhur kështu. Nga ky rezon në esencë po dëmtohet shpirti i luftës çlirimtare e në këtë kontekst edhe i vetë shtetësisë së Kosovës. Marrëdhëniet me SHBA -në janë tashmë tradicionale dhe askush mos të frikohet se kjo filozofi e shqiptarëve mund të dëmtohet”, ka thënë Zeka për Portalin 2LONLINE.

Sipas tij, është për të ardhur keq prej disave që flasin e shkruajnë por edhe shprehin kënaqësinë për të dënuar luftëtarët e UCK-së. “Kjo paraqet nonsens por edhe një mentalitet të çuditshëm e që për mendimin tim i përket standardit komunist dhe të tejshkuar”, ka thënë Zeka.