Zemaj nënshkruan tri plane strategjike që dalin nga Plani i veprimit të Strategjisë Sektoriale 2017-2021

16.11.2020 18:32:40

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka nënshkruar sot tri plane strategjike që dalin nga Plani i veprimit të Strategjisë Sektoriale 2017-2021.

Zemaj ka njoftuar se plani i parë i nënshkruar është Plani Strategjik për Promovim dhe Edukim Shëndetësor 2021, plani i dytë është Plani Strategjik për Shëndetin e Nënës, Fëmijës dhe Shëndetit riprodhues 2021 dhe plani i tretë është Plani i veprimit për parandalimin e infeksioneve spitalore.

“Këto plane strategjike janë hartuar nga profesionistët shëndetësor të lëmive gjegjëse dhe kanë për qëllim promovimin e jetës së shëndetshme, ruajtjen dhe përparimin e shëndetit përfshi promovimin dhe edukimin shëndetësor të pacientëve dhe popullatës sonë nga profesionistët e institucioneve tona shëndetësore”, ka thënë Zemaj.

Zemaj në postimin e tij në Facebook, ka folur edhe për planin strategjik për shëndetin e nënës, fëmijës dhe shëndetit riprodhues.

“Plani strategjik për shëndetin e nënës, fëmijës dhe shëndetit riprodhues 2021, ka për qëllim sigurimin e shfrytëzimit të ekspertizës në dispozicion, koordinimin e investitorëve në fushën e shëndetit të nënës dhe fëmijës, duke përfshi burimet njerëzore, financiare dhe infrastrukturën për të realizuar aktivitete në vazhdimësi, me qëllim të përmirësimit të tregueseve dhe zvogëlimin e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së nënës dhe fëmijës te ne”, theksoi ai.

Ndërsa, për planin për parandalimin e infeksioneve spitalore, Zemaj ka pohuar se janë të parapara masat dhe aktivitetet që ndërlidhen me parandalimin e këtyre infeksioneve.

“Gjithashtu, sa i përket Planit të veprimit për parandalimin e infeksioneve spitalore, janë të parapara masat dhe aktivitetet që ndërlidhen me parandalimin e infeksioneve spitalore, përfshi mbikëqyrjen e zbatimit të këtij plani me shumë interes për pacientin dhe personelin shëndetësor”.