Zeqir Kiqina zgjedhet ushtrues detyre i kryeshefit të Telekomit

11.04.2018 15:11:52

Bordi i zgjedhur rishtas i Telekomit të Kosovës ka marrë vendim për emërimin e Zeqir Kiqinës, si Ushtrues Detyre i Kryeshefit të kësaj ndërmarrje.

Kiqina përveç se ka punuar në këtë ndërmarrje që nga vitit 2009, ai është edhe Kryetar i Degës së Aleancës për Ardhmërinë e  Kosovës në Drenas.

Ai ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook fotografi të kryeministrit Haradinaj, si dhe ka bërë foto me deputetin, Daut Haradinaj. E disa nga anëtarët e bordit që e ka emëruar atë në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit kanë të kaluar apo lidhje me politikën. Lajmin për emërimin e Kiqinës për KALLXO.com e konfirmoi anëtarja e bordit të Telekomit, Besa Shatri.

“Dje është mbajtur një mbledhje e bordit. Po është zgjedhur dje, është Zeqir Kiqina. Nuk e kemi pyet (nëse ka lidhje me AAK-në), besoj që sot do e pyesim. Është për një muaj, konkursi shpallet këtë javë kështuqë nuk është pozitë afatgjatë”, tha Shatri.

Megjithatë, i kontaktuar nga KALLXO.com, Kiqina nuk konfirmoi se është marrë ndonjë vendim për emërimin e tij dhe tha se për momentin po mbahet mbledhja tjetër e bordit të kësaj ndërmarrjeje.

“Për momentin s’muj me thanë se është mbledhja e bordit duke vazhduar. Nuk kanë marrë ndonjë vendim dje. Kjo është informacioni që mundem me dhanë”, tha Kiqina.

Ai e ka nisur punën në PTK në vitin 2009, në filialin e Drenasit. Fillimisht kishte pozitë të ulët, ndërsa më vonë ishte bërë udhëheqës i Postës në këtë filial. Pas përfundimit të mandatit të kryeshefit, Agron Mustafa ai është emëruar si këshilltar i përgjithshëm i Drejtorit Gjeneral, Nuredin Krasniqit.

“Në vitin 2009 (kam filluar së pari në Telekom)”, tha Kiqina.