Sipas mjekëve gruaja ishte paraqitur rreth orës 22:30, në spital dhe menjëherë asaj i është dhënë ndihma e nevojshme ndërsa është vizituar nga specialistët përkatës.
Ndërkaq pasi është vënë re sipas tyre se ajo nuk kishte probleme që lidhen me patologjinë e barrës, ajo është transferuar për vizitë të specializuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në kryeqytet.
Pas kësaj vizite gruaja ishte dërguar në Sanatorium, ku pas një vizite të shkurtër është rikthyer në maternitet, ku edhe i është nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme. Nga hetimet e kryera nga ana e prokurorisë është vënë re se gruaja nuk i ishte nënshtruar ekzaminimit pamor me eko të barkut, shkruan Shqiptarja.com.
Pikërisht kjo mangësi gjatë ekzaminimeve ka bërë që gruas t’i shkaktohet hemorragji dhe humbje e madhe e gjakut. Ndërkaq mjekët kanë pohuar para hetuesve se kur kanë vënë re se shëndeti i gruas po rëndohej ata vendosën të bëjnë ndërhyrjen por se nuk mundën të shpëtojnë as atë dhe as fëmijën. Sipas hetuesve pikërisht, për vonesën në ndërhyrjen kirurgjikale si dhe në vonesën në ekzaminimin pamor me ekografi, për mjekët është vendosur edhe masa e ndalimit.