Zëvendës-sherifi plagoset në kokë, sulmuesi organizoi pritë dhe hapi zjarr mbi stacionin...

Zëvendës-sherifi plagoset në kokë, sulmuesi organizoi pritë dhe hapi zjarr mbi stacionin e policisë në Kaliforni – arrin të arratiset

11.06.2020 07:58:46

Zëvendës-sherifi në Paso Robles të Kalifornisë, është plagosur në kokë, kurse autoritetet e sigurisë kanë njoftuar se sulmuesi kishte organizuar pritë dhe kishte hapur zjarr mbi stacionin e policisë duke arritur të arratiset, raporton AP.

Organet që po zhvillojnë hetimet kanë bërë të ditur se të mërkurën në orët e para të mëngjesit është hapur zjarr mbi stacionin e policisë, me c’rast zëvendës-sherifi i është kundërpërgjigjur sulmuesit, por gjatë të shtënave është qëlluar në kokë

Pas intervenimit të kolegëve të tij, ai është dërguar me urgjencë në spital për tretman, nga ku është bërë e ditur se është në gjendje të rëndë shëndetësore.

E disa orë më vonë, pak metra larg zyrës së sherifit, policia ka gjetur trupin e pajetë të një burri rreth të 40-ve të vrarë me armë zjarri nga afërsi.

Hetuesit kanë bërë të ditur se kjo vrasje mund të ketë lidhje me sulmin që kishte ndodhur mbi zyrën e sherifit.