Zëvendësministri Hysen Durmishi njofton se ka gjetur të thyer derën e zyres ku i mban takimet

21.04.2021 18:39:46

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Hysen Durmishi ka njoftuar se në momentin që është paraqitur në punë ka gjetur derën e thyer.

“Dje me të arritur në punë rreth orës 08:00, bashkë me stafin tim kemi vërejtur se dera e zyrës së takimeve protokolare të Kabinetit ku unë jam Zv. Ministër ka qenë e hapur me forcë (e thyer)”. Menjëherë është njoftuar sigurimi i objektit i cili ka ardhur në vendin e ngjarjes dhe po i njëjti ka njoftuar organet e rendit dhe të sigurisë, Policinë e Kosovës, njofton Zëvendësministri i Mjedisit në Facebook.

Durmishi thotë se me çështjen janë duke u marrë organet e rendit.

“Pas më pak se 15 minuta kanë arritur njësitet e policisë të Stacionit Policor Qendra, dhe bashkë me hetuesit kanë bërë ekzaminimet e nevojshme dhe se tani çështja është në duar të organeve të rendit”.

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me këtë rast ka dërguar edhe një mesazh edhe për autorët e këtij akti.

“Ne do të punojmë shumë dhe drejtë dhe me transparencë. Dyert tona do të jenë të hapura prandaj nuk keni nevojë t’i thyeni”, ka shkruar më tej Hysen Durmishi.