Zgjedhet kryeprokurori i Apelit dhe kryeprokurorët e gjashtë prokurorive themelore

24.12.2020 15:49:43

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka zgjedhur sot kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit dhe kryeprokurorëve të gjashtë prokurorive themelore.

Në njoftimin për media thuhet se kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit, me 11 vota për dhe asnjë kundër, është zgjedhur Xhevdet Bislimi.

Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Pejës, me 11 vota për dhe asnjë kundër, është zgjedhur Agim Kurmehaj.

Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, me 11 vota për dhe asnjë kundër, është zgjedhur Shukri Jashari.

Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, me 10 vota për dhe 1 kundër, është zgjedhur Ismet Ujkani.

Për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prizren gara u zhvillua në mes të prokurorëve Admir Shala dhe Ervehe Gashi, ku pas procesit të votimit Admir Shala është zgjedhur kryeprokuror i kësaj prokurorie me 7 vota për. Ndërsa kundër kandidatja e tij mori 4 vota.

Për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Gjilan gara u zhvillua në mes të prokurorëve Arben Kadriu dhe Agron Uka, ku pas procesit të votimit Arben Kadriu është zgjedhur kryeprokuror i kësaj prokurorie me 6 vota për. Ndërsa kundër kandidati i tij mori 5 vota.

Ndërsa, për Prokurorinë Themelore të Gjakovës do të rishpallet konkursi, sepse kandidatja për kryeprokurore, Ardita Beqiraj-Hyseni nuk u votua për këtë pozitë.

Në fund të takimit, Këshilli miratoi Raportin e Komisionit për rivlerësimin e performancës së katër  prokurorëve.​