Në Spitalin e Gjakovës 47 pacientë me COVID-19, 30 pacientë në oksigjeno-terapi

24.12.2020 15:34:32

Në spitalin rajonal të Gjakovës aktualisht janë të hospitalizuar 47 pacientë, prej tyre 30 janë me oksigjeno-terapi. Tre pacientë janë në gjendje të rëndë dhe trajtimi i tyre po bëhet me CPAP maskë.

Nga ky spital thonë se janë të furnizuar edhe me oksigjen por edhe me terapi të nevojshme.

Drejtori i këtij spitali, Hilmi Shala ka thënë se në pritje të rezultateve për coronavirus janë gjashtë qytetarë.

“Ne i kemi 47 pacientë të cilët janë të dyshuar apo janë trajtuar me COVID-19. Nga këta 28 janë pozitiv dhe pjesa tjetër janë negativ si dhe një pjesë presin të testohen…30 pacientë janë me oksigjeno-terapi, tri janë në CPAP maskë. Gjendja e tyre është stabile e mirë në përjashtim tek këta tre që janë me CPAP maskë që gjendja e tyre është pak më e vështirë”, tha ai.

Meqenëse në nivel vendi është zvogëluar numri i qytetarëve të infektuar, Shala thotë se edhe në Spitalin e Gjakovës ka rënie të pacientëve që po kërkojnë trajtim mjekësor, por shton se menaxhimi i pacientëve në valën e fundit ka qenë sfidues.

“Ka qenë shumë sfiduese ngase nuk e kemi pritur këtë fluks të madh. Pikun e kemi pasur me 115 pacientë të cilët kanë qenë të hospitalizuar për COVID-19, ne i kemi pasur në dispozicion rreth 30 për qind të shtretërve, kemi qenë të përgatitur që nëse ka nevojë të hapim prapë hapësira të reja por fatmirësisht në javën e fundit vetëm ka rënie të pacientëve që janë me COVID”, u shpreh Shala.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala ka folur edhe rreth furnizimit me oksigjen.

Ai deklaroi se kanë pasur vështirësi si spital në këtë aspekt, por që asnjëherë nuk kanë pasur mungesa.