Zgjedhjet në Kosovë, ambasada amerikane: Për Shën Valentin tregoni dashurinë për shtetin e familjen

14.02.2021 11:23:06

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ambasada shkruan se qytetarët duhet regojnë dashurinë e tyre për shtetin dhe familjen.

“Këtë ditë të Shën Valentinit tregoni dashurinë për shtetin dhe familjen tuaj. Votoni! E ardhmja e Kosovës është në duart tuaja”, thuhet në postimin e ambasadës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se materialet zgjedhore janë përcjellë në çdo vendvotim të Kosovës pavarësisht problemeve me komunikacion si pasojë e motit të ligë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencën e parë për media të KQZ-së për sot ka bërë të ditur se vendvotimet janë hapur në orarin e paraparë në tërë territorin e Kosovës.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës. “Të gjitha materialet zgjedhore janë përcjellë nga depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve nëpër qendrat e votimit. Janë përcjellë me kohë, sigurisht se ka pasur vonesa për shkak të motit të ligë por ato janë hapur me kohë”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 794 mijë e 862 votues.

Ai ka bërë të ditur se numri i votuesve të rinj në këto zgjedhje, që do të votojnë për herë të parë pasi kanë mbushur 18 vjeç pas zgjedhjeve të vitit 2019 është 49 mijë e 198 votues, ndërsa numri i atyre që nuk kanë qenë në listën votuese të atyre zgjedhjeve, e të cilët konsiderohen të regjistruar për herë të parë në regjistrim qendror civil mes dy palë zgjedhjesh është 10 mijë e 433 votues.

Elezi ka thënë se numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar për zgjedhje është rreth 30 mijë vëzhgues.