Zjarri në ndërtesën shumëkatëshe në Londër, një foshnje u hodh nga kati i 10-të dhe u kap nga një burrë poshtë!

14.06.2017 13:04:25

Një fëmijë u kap nga një dëshmitar i ngjarjes, pasi u hodh nga Kulla e Grenfellit në Londër, pasi kjo ndërtesë shumëkatëshe u përfshi nga flakët, ka thënë një dëshmitar.

 

Siç shkruajnë mediat e huaja, bëhet fjalë për Samira Lamrani e cila ka thënë se një grua kishte tentuar ta shpëtonte një fëmijë duke e hedhur atë nga një dritare “në katin e nëntë apo të dhjetë”, drejt njerëzve që po e prisnin poshtë.

“Njerëzit po fillonin të dilnin në dritare, të frikësuar dhe duke bërtitur”, tha ajo.

“Dritaret ishin paksa të hapura, një grua po bënte të ditur se po tentonte të hidhte fëmijën e saj dhe nëse dikush mund ta kapte atë”.

“Dikush e bëri, një zotëri u fut përpara dhe arriti të kapte fëmijën”.

Ajo shtoi: “Unë mund të shihja njerëz nga të gjitha këndet, duke bërtitur dhe duke kërkuar ndihmë”.

“Ne anëtarët e publikut i siguruam ata, duke u thënë atyre se kemi bërë atë që mundem dhe se ne kemi telefonuar 999, por padyshim që pamja në fytyrën e tyre ishte vdekja”.

Gjithashtu, edhe një grua tjetër, e quajtur Zara, siç shkruajnë mediat britanike ka thënë se ka parë një grua duke e hedhur djalin e saj, i cili ishte rreth pesë vjeç, për ta shpëtuar nga flakët.

“Mendoj se ai mund të ketë vetëm disa thyerje dhe lëndime”.

“Zjarri u përhap shumë shpejt. Ishte si në skenat e filmave të Hollivudit”.