Zogaj: Marrëveshja PAN-AKR, private dhe pazar

05.09.2017 19:01:11

Analisti politik, Petrit Zogaj, ka thënë se marrëveshja e arritur gjatë mbrëmjes së djeshme mes AKR-së dhe PAN-it ishte vetëm një pazar.

“Nga ajo çfarë u pa ishte një takim privat, një marrëveshje private e disa njerëzve që partinë e shohin si parti private, edhe Qeverinë do ta kenë private”.

“Gjuha është në nivel të pazarit, asgjë nuk ka publike në këtë mes, gjithçka është konceptim i pazarit, shitblerjes dhe privates, aspak e publikes”.

“Marrëveshja u regjistrua në një shtëpi që është private e që Pacolli medoemos do ta kthejë në rezidencë por është pronë private. Pacolli e ka privizatuar politikën ashtu sikur edhe tri liderët e tjerë”.

“Ishte pamje mjeruese nënshkrimi i marrëveshjes me ato dy tavolinat ku dy liderë ishin në njërën anë dhe dy në tjetrën, kinse dy ishin më të rëndësishëm se dy të tjerët”.

Zogaj që është i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se megjithatë është mirë që eventualisht do të krijohen institucionet e vendit.

Por sipas tij, Pacolli kishte edhe rrugëdalje të tjera, pos largimit nga LAA e kalimit në PAN.

“Nuk do të duhej që gjatë fushatës zgjedhore, liderët politikë të kërkojnë vota, me vijat e gjelbra ose të kuqe, duhej të mos kishim këtë diskurs sepse ky model politik që kemi ndërtuar në këto vite, jep një përshtypje që do të duhet të kemi patjetër koalicione që të kemi Qeveri”.

“Kishte rrugëdalje, nëse do t’i thoshte Haradinajt dhe Veselit se do të japë votat për Veselin e Haradinajn me p.sh 10 pika që do të zotoheshin, por të mos bëhej pjesë e Qeverisë. Aksioni politik nënkupton që ti të shtysh politikat në interes të publikut”.