Ballkani do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian

05.09.2017 19:07:21

Shpresoj që marrëveshja ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë të krijojë atmosferë të shkëlqyer në të cilën Republika e Maqedonisë do t’i përmirësojë marrëdhëniet e saj edhe me shtetet tjera fqinje”, është shprehur zëvendës-ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-ve, Brian Hoyt Yee gjatë takimit me Ministren për punë të jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva të mbajtur në suaza të Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni.

“E përshëndes Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë. Ajo është e rëndësishme për popujt e Bullgarisë dhe Maqedonisë, por edhe për tërë rajonin”, tha Hoyt Yee, si shenjë lëvdate për dy vendet fqinje që ndërmorrën hap të rëndësishëm për stabilizimin e marrëdhënieve ndër-fqinjësore.

“Popujt e Ballkanit janë evropian, ata duan dhe meritojnë mundësi të njejta, të drejta të njejta dhe mbrojtje si gjithë qytetarët tjerë të kontinentit tonë dhe për mua është më se e qartë se i tërë Ballkani duhet, dhe në fund, do të jetë pjesë e BE-së. Ky është një premtim i dhënë në Selanik para 13 vitesh dhe u vërtetua si detyrim që duhet të realizohet nga 28 anëtarët e BE-së në mbledhjen e sivjetshme të Këshillit evropian”, u shpreh përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme i BE-së, Federica Mogherini.

Në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë merr pjesë edhe Ministri për punë të jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, i cili sot foli për rëndësinë e politikës së ndërtimit të urave të miqësisë duke theksuar gjasat e larta për përparim gjatë 2 viteve në vijim që ka rajoni.