Kryeprokurori Shala i reagon Gashit: Mos manipulo për rastin Dehari

05.09.2017 19:47:36

Një ditë pasi ka pranuar raportin e ekspertizës austriake për video-incizimet e kamerave të sigurisë së qendrës paraburgimit në Prizren të ditës kur vdiq në qelinë e tij aktivistit i VV-së i dyshuar për terrorizëm, Astrit Dehari, avokati i familjes ka dalë me interpretime të kundërta. Prokuroria e Shtetit të hënën njoftoi se raporti thekson se nuk ka pasur manipulim të incizimeve.

Por, Tomë Gashi pretendon se në raport shkruan se në 6 fajlla të incizimeve ka pasur ndërprerje.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, e cila po heton rastin e vdekjes së Deharit, thotë se Gashi po mundohet të manipulojë opinionin publik duke e keqinterpretuar raportin.

Kryeprokurori Admir Shala sqaroi se në raport tregohet se ka pasur ndërprerje të incizimeve rreth orës 20:00 të 5 nëntorit 2016, ndërsa vdekja e të dyshuarit për terrorizëm ka ndodhur rreth orës 16:00 të së njëjtës ditë.

Madje, sipas Shalës, në raportin e ekspertizës së video-incizimeve të ardhur nga Austria, vetë hetuesit konstatojnë se ndërprerjet mund të jenë të kohës kur policia i ka nxjerrë incizimet nga serverët e kamerave të sigurisë, apo nga ndonjë ndërprerje eventuale e rrymës.

“Në ora 8 të mbrëmjes, thotë raporti, dikun rreth 1 minutë e 4 sekonda ka shkëputje, por vdekja e Astrit Deharit ka ndodhur rreth orës 4 të pasdites”, pohoi Admir Shala për Express.

“Në raport është arsyetuar se ajo ndërprerje nuk ka të bëjë me kurrfarë ndërhyrje, por është qoftë ndërprerje e rrymës apo e tërheqjes së incizimeve, në ora 8 të mbrëmjes. Ndërsa, rasti ka ndodhur pas orës 3. Pra, kjo është në ora 8 të mbrëmjes, kur kanë mundur t’i tërheqë policia incizimet, apo ndonjë ndërprerje e rrymës. E kanë shpjegu ata në raport se nuk ka lidhje me këtë gjë”, tha kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Por, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, në një postim në facebook thotë se gjetjet e ekspertizës austriake të kamerave të sigurisë kanë pasur ndërhyrje në gjashtë dosje të ruajtura.

“Vetë ekspertiza e Entit Federal të Kriminalistikës të Austrisë, e të siguruar nga Prokuroria, vërtetohen manipulimet e video incizimit, dhe atë duke konstatuar në ekspertizë se ka pasur ndërprerje të vulave kohore të 6 video fajllave” ka shkruar Gashi.

Ai, tutje ankohet edhe se prokurori i rastit asnjëherë nuk e ka njoftuar se ku i ka dërguar video incizimet për analiza, edhe pse sipas tij këtë e ka obligim ligjor.

“Të gjitha çështjet teknike dhe çështje të tjera do të vërtetohen me rastin e hetimeve të pavarura jashtë Kosovës në ndonjërin prej Instituteve të shteteve të BE-së apo SHBA-së, siç edhe thotë Rezoluta/Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës i datës 20.12.2016, e të cilin Qeveria nuk e zbatoj kurrë, duke pretenduar se Instituti i Mjekësisë Ligjore nga Zvicra, nuk mund të angazhohet si Institut i përzgjedhur nga familja Dehari, pasi që Zvicëra nuk është anëtare e BE-së”, shton avokati kosovar.

Ndryshe, një ditë më parë, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar ekspertiza e kryer në Austri e video-incizimeve të kamerave të sigurisë të qendrës së paraburgimit të Prizrenit, të ditës kur kishte vdekur Astrit Dehari, kanë rezultuar autentike. Kështu, autroitetet kosovare, përmes këtij njoftimit u kanë dhënë fund pretendimeve të ‘Lëvizjes Vetëvendosje’ se dikush ka mundur të ndërhyjë në incizime, për të fshehur, sipas tyre, vrasjen e aktivistit politik të dyshuar për sulmin terrorist ndaj objektit të Kuvendit, 4 gushtin e vitit të kaluar.

Xhirimet që kanë rezultuar të jenë autentike shfaqin korridorin e qendrës së paraburgimit, gjatë 24 orëve të 5 nëntorit 2016, përfshirë edhe intervalin kur ka ndodhur vdekja e Astrit Deharit.

“Raporti ka konstatuar se të gjitha video-incizimet paraqesin vulat kohore dhe janë gjithashtu të shikueshme. Gjatë transparencës së videove raporti ka konstatuar se këto janë në gjatësi identike dhe me këtë mund të përjashtohet manipulimi i video-incizimeve. Raporti i ekspertizës po ashtu ka konstatuar se nuk ka pasur manipulim apo ndërprerje të video-incizimeve”, ka bërë të ditur Prokuroria e Shtetit në njoftimin e së hënës.