Zyrtare: Gjermania do të aplikojë për Evropianin 2024

20.01.2017 20:19:15

Presidenca e Federatës Gjermane të Futbollit sot vendosi unanimisht për të konkurruar për organizimin e finaleve të Kampionatit Evropian 2024, duke rikthyer një tjetër event të madh të futbollit pas 18 vitesh në Gjermani. Deri tani nuk ka asnjë kandidat serioz, por Turqia, Danimarka, Finlanda, Norvegjia dhe Suedia janë po aq të interesuara. Ky do të ishte turneu i dytë evropian në Gjermani që pas atij të vitit 1988, teksa në vitin 2006 nuk mund të harrohet Kupa e Botës, ku “pancerat” arritën deri në gjysmëfinale.

Reinhard Grindel, president i DFB-së, u shpreh: “Euro 2024 mund të bëhet një projekt zhvillues për gjithë futbollin gjerman. Ne do të bëjmë një aplikim të nivelit më të lartë dhe do të jemi shumë të kujdesshëm për të zgjedhur dhjetë stadiumet e mundshme me një proces të kuptueshëm dhe transparent.” Si pjesë e Kampionatit Pan-Evropian të futbollit (ideja e fundit e ish-presidentit Michel Platini), ndeshjet e këtij turneu do të zhvillohen në disa shtete. Tri ndeshje të fazës së grupeve dhe një çerekfinale do të luhet në Mynih.

Plani i Gjermanisë është që të konkurrojë me dhjetë stadiume. Deri më 17 shkurt 2017 stadiumet me një minimum kapaciteti prej 30 mijë vendesh mund të regjistrohen duke shfaqur interesin e tyre në Federatë, shkruan “Bild”. Kupola drejtuese do të zgjedhë dhjetë stadiume. Deri më 27 prill 2018, Federatat e tjera të interesuara mund të dërgojnë dokumentacionin e plotë në adresën përkatëse të UEFA-s. Takimi i organizatorëve do të zhvillohet në shtator 2018 dhe më pas do të merret vendimi përfundimtar.