ZYRTARE / Leo Messi rinovon kontratën…

10.02.2017 20:50:47

Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, ka firmosur marrëveshjen e re me sponsorin teknik të veshjeve sportive “Adidas”, si ka konfirmuar vetë futbollisti me një status në “Facebook”. Nuk është kontrata që donin tifozët e Barcelonës, ajo e shumëpritur e rinovimit me klubin blaugrana, por pesë herë fituesi i “Topit të Artë” pohon: “Jam i lumtur që do të vazhdojë të punojë me “Adidas” edhe për shumë vite të tjerë pas këtij rinovimi.”

29-vjeçari Messi, që gjatë gjithë karrierës ka luajtur vetëm me Barcelonën, është bërë “legjendë” në “Camp Nou”, por marrëveshja e tij përfundon në qershor 2018 dhe nëse Barça nuk rinovon deri në verën e ardhshme do të jetë e detyruar ta shesë lojtarin, për të mos e humbur me kosto zero. Të gjithë i kanë sytë nga rinovimi i tij me skuadrën e Luis Enrique, por marrëveshja e parë që argjentinasi ka arritur ka qenë ajo me “Adidas”.

Në këtë sezon, Lionel Messi ka shënuar 31 gola në 31 ndeshje zyrtare me fanellën e Barcelonës, nga 100 që ka shënuar gjithsej skuadra katalanase. Për më tepër ai ka dhënë edhe 12 asiste. Janë të shumtë ata që kanë nisur ta konsiderojnë numrin 10 si më i madh i të gjitha kohërave, pasi ka shënuar 487 gola në 564 ndeshje. /telesport.al/