Zyrtare/ Real Madrid shpallet kampione e La Liga

17.07.2020 11:29:01

Real Madrid është zyrtarisht kampione e Spanjës për sezonin 2019-2020.

Madrilenët mposhtën Vilarealin me rezultatin 2-1 falë dy golave të sulmuesit francez Karim Benzema.

Los Blancos arrijnë kështu titullin e 34 të fituar në histori. Lojtarët e Zinedine Zidane i morën vendin e parë Barcelonës pas ecurisë së mirë me fitore pas rinisjes së kampionatit nga karantina.

Edhe pse me polemika të shumta, me gola të anuluar e me penalti të dyshimta, kryeqytetasit janë shpallur kampionë.

Ndërkohë Barcelona ia bëri më të lehtë kundërshtarëve të përjetshëm duke mos marrë asnjë pikë nga ndeshja përballë Osasunës në Camp Nou, pas rezultatit zhgënjyes 1-2.

Real Madrid kthehet tek titulli kampion pas 3 vitesh.