​LVV: DELEGACIONI SHTETËROR DO T’I THELLOJË KOMPROMISET NDAJ SERBISË

07.01.2019 17:50:54

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar delegacionin shtetëror për bisedime me Serbinë se po shkojnë në Bruksel që të merren vesh se si do të vazhdojnë të njëjtin proces negociator të filluar prej vitesh, pasi sipas kësaj partie, ky ekip po mbështetet në rezolutën që është miratuar në Kuvend e në të cilin nuk figuron fjala reciprocitet.

Deputeti i Vetëvendosjes Liburn Aliu, ka thënë se pa reciprocitet ekipi për bisedime vetëm sa do t’i thellojnë edhe më tepër kompromiset ndaj Serbisë. Ai tha se këtë e dëshmon procesi i deritanishëm që nuk solli asgjë tjetër përveç dëme Kosovës.

Aliu ka folur edhe për mos përfshirjen e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës në delegacionin shtetëror.

“Si është e mundur që në të ashtuquajturin delegacion shtetëror të Kosovës të kemi aq shumë përfaqësues partish që nuk e kalojnë as pragun zgjedhor, mirëpo aty nuk janë përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Pse në delegacion të mos jetë kryetari i Preshevës, kryetari i Bujanocit, kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar, deputetët shqiptar në Kuvendin e Serbisë dhe asamblistët shqiptarë në Medvegjë. Të gjithë këta pjesëtarë të këtij të ashtuquajturit delegacion shtetëror para se të bëheshin pjesë e këtij delegacioni pjesë e fjalimeve të tyre e kishin gjithmonë çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes”, ka thënë ai.

Aliu ka folur edhe për letrën e dërguar nga përfaqësuesit e Luginës së Preshevës përfaqësueses së lartë të BE-së, delegacionit shtetëror dhe presidentit Hashim Thaçi, me kërkesë për përfshirjen e çështjes së tyre në dialogun Kosovë-Serbi. Ku ai ka thënë se në atë letër mungon esencialja, reciprociteti.

Deputeti Aliu ka thënë se presidenti Thaçi me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq flet për veriun e Kosovës e për Rusinë, por sipas tij asnjëherë nuk ia kërkon atij Kosovën lindore që mbahet e shtypur, e diskriminuar dhe e shfrytëzuar pikërisht nga Serbia.

Ai ndërkohë ka bërë të qartë qëndrimin e LVV se nuk presin asgjë nga delegacioni shtetëror për bisedime, me përjashtim të gatishmërisë për kompromise të tjera.